U mbajt koncert folklorik, gjëmoi sheshi i Gostivarit

27.07.2018

Sheshi i Gostivarit gjëmoi nga këngët folklorike të interpretuara nga folkloristët më të mirë shqiptar të Gostivarit.

Mbrëmë u mbajt Koncerti folklorik shqiptar, që tuboi në një vend Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore “Besa”, Shoqërinë Kulturore Artistike “Jahi Hasani” si dhe Grupin folklorik “Lulet e Malësisë”. Në një atmosferë të ngrohtë miqësore, koncerti kaloi më shumë në frymën e një ahengu, ku qindra qytetarë shumica e të cilëve mërgimtarë që po qëndrojnë në vendlindje për pushimet verore, kaluan çaste të lumtura dhe ngazëlluese me këngët dhe vallet e interpretuara nga artistë më të mirë folklorik të kësaj treve.

I pranishëm në koncert ishte edhe kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari me bashkëpunëtorët e tij, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Kulturës.

Koncerti i mbrëmshëm folklorik ishte pjesë e aktiviteteve të shumta në organizim të Komunës së Gostivarit, nën moton “Mirë se erdhët mërgimtarë”, ku aktivitetet kulturore në kuadër të këtij manifestimi mbështeten financiarisht edhe nga Ministria e Kulturës.

Në agjendën e manifestimit “Ditët e Mërgimtarëve”, nesër në sheshin e qytetit të Gostivarit do të mbahet turnir shahu.

Shërbimi për informim