11.11.2019

Qytetarët e Gostivarit shfrytëzuan sot mundësinë që të njoftohen drejtpërsëdrejti me propozim-Programin zhvillimor të Komunës së Gostivarit për vitin 2020. Në debatin publik të organizuar për këtë qëllim mori pjesë kryetari i komunës Arben Taravari, kryetari i Këshillit Besim Memedi, këshilltarë komunalë, administratorë përfaqësues të bashkësive lokale dhe qytetarë të tjerë të interesuar.

“Është ky viti i dytë që udhëheqësia e re komunale përpilon program zhvillimor dhe njëlloj siç vepruam vitin e kaluar, ashtu edhe sivjet para jush e shpalosim atë në formë propozimi që të mundeni ju qytetarë të nderuar, të jepni vërejtjet, propozimet dhe sugjerimet e juaja. Unë me bashkëpunëtorët e mi në administratën komunale kemi realizuar vizita në çdo vendbanim dhe kërkesat e banorëve gjatë këtyre takimeve bashkë me ato që kanë arritur drejtpërsëdrejti në administratën komunale i kemi inkorporuar në këtë propozim-program. Transparenca në menaxhim dhe pjesëmarrja direkte e qytetarëve në vendimmarrje është një përcaktim i yni konsistent”, theksoi kryetari Arben Taravari.

Prezantimin e detajuar të propozim-programit e bëri përgjegjësi i Zyrës së ZHEL-it Besim Dogani i cili që në fillim tërhoqi vërejtjen se i në të njëjtin janë përfshirë të gjitha nevojat dhe kërkesat e arsyeshme të qytetarëve por për shkak të buxhetit të limituar, do të realizohen аq projekte sa lejojnë mjetet financiare në dispozicion duke u dhënë prioritet projekteve imediate.

“Projektet më të mëdha të parapara do të financohen nga donatorë të jashtëm si Agjencia zvicerane SECO, Banka Evropiane për Investime dhe Banka Botërore, një pjesë me financim nga nivelet më të larta të pushtetit, disa me ko-financim të komunës ose me partneritet publiko-privat, si dhe një pjesë me mjete vetëm nga buxheti themelor komunal. Projekte kryesisht janë nga sfera e infrastrukturës rrugore, ujësjellës-kanalizimeve, gjelbërimit dhe parkingjeve, mirëmbajtje etj. por edhe riparime në institucionet arsimore, investime në ndriçimin rrugor dhe projekte nga sfera e kulturës”, theksoi Dogani.

Pas prezantimit, u zhvillua një debat ku të pranishmit shpalosën propozimet e tyre, të cilat u evidentuan nga administrata komunale dhe do të inkorporohen në propozim- programin i cili do të duhet të miratohet në seancën e radhës të Këshillit të Komunës së Gostivarit të konvokuar për ditën e enjte në ora 10:00.

Në bazë të programit zhvillimor do të përpilohet edhe buxheti për vitin 2020, i cili po ashtu do të shpaloset para qytetarëve në një debat publik.

Nga Komuna e Gostivarit inkurajojnë qytetarët që sa më masovikisht, ashtu si sot, të marrin pjesë në debate publike dhe të bëhen aktorë aktivë në procesin e vendimmarrjes.

Shërbimi për informim