U rinovuan dy objektet më të mëdha të IPKF “Gëzimi Fëmijëror” në Gostivar

,

17.12.2018

Me mjete vetanake dhe me ndihmën e Komunës së Gostivarit, kanë përfunduar sot punimet për rikonstruktim të dy çerdheve më të mëdha që funksionojnë në kuadër të Institucionit Publik Kopshti i Fëmijëve “Gëzimi Fëmijëror” – Gostivar.

Në çerdhen kryesore “Pranvera” është bërë thuajse rikonstruktim i plotë i objektit me ç’rast janë riparuar nyjet sanitare, janë rregulluar lojëtoret – lyerja e mureve, vendosja e llaminatit dhe parketit të ri, është rinovuar salla – nxjerrja e llamperive dhe pllakave të keramikës, lyerja e mureve dhe vendosja e linoleumit. Është bërë komplet riparimi i ujësjellësit dhe ndriçimit të hapësirave të brendshme.  Po ashtu janë vendosur dyer të reja në nyjet sanitare dhe lojëtoret dhe janë vendosur perde të reja. Krahas kësaj së shpejti pritet që të vendosen edhe garderoberë të rinj për fëmijët dhe tabela për vizatim nëpër lojëtore.

Intervenime janë bërë edhe në çerdhen “Lulishtja” ku janë lyer hapësirat e brendshme të objektit dhe një pjese e fasadës, ndërsa është rregulluar edhe salla dhe është riparuar parketi ekzistues.

Për shkak të realizimit të punimeve, javëve të fundit çerdhet e lartpërmendura kanë punuar me kapacitet jo të plotë. Ndërsa prej  nesër të njëjtat do të vijojnë me punë në kushte normale. Komuna e Gostivarit dhe IPKF “Gëzimi Fëmijëror” falënderojnë prindërit për mirëkuptimin.

Shërbimi për informim