30.07.2018

Investitori i një objekti pa leje në afërsi të ish kinemasë së qytetit në Gostivar, pas pranimit të aktvendimit të lëshuar nga ana e Komunës së Gostivarit, sot vetë ka mënjanuar objektin e egër.

Në vendngjarje, krahas administratorëve kompetentë komunalë, ishte edhe kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, i cili njoftoi sërish se do të prishen të gjitha ndërtimet e egra të cilat prekin në rrugë dhe bllokojnë mbarëvajtjen e qarkullimit në gjithë territorin e komunës së Gostivarit.

Taravari apeloi deri tek pronarët e objekteve për të cilat është lëshuar aktvendim për mënjanim, që vetë t’i prishin ato  dhe tu ikin shpenzimeve të panevojshme për prishje të dhunshme.

Ai po ashtu njoftoi opinionin publik se në ditët ne vazhdim do të prishen 5-6 objekte të këtilla.

Ndryshe aksioni për mënjanimin e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme në Gostivar, filloi dje kur përmbaruesit e Komunës prishën një murrë në lagjen Pitarnicë i cili pamundësonte hapjen e një rrugice të kësaj lagjeje, problem ky i cili daton prej rreth 30 vitesh.

Nga Sektori i urbanizimit pranë Komunës së Gostivarit, apelojnë deri tek qytetarët që të mos ndërtojnë pa leje adekuate, sepse do të ballafaqohen me të gjitha masat në përputhje me ligjet pozitive të Republikës së Maqedonisë.

Shërbimi për informim