19.03.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti sot në kabinetin e tij shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian në Maqedoni, Samuel Zhbogar.

Pas takimit, të dy bashkëbiseduesit në një konferencë për shtyp të mbajtur në Press-qendrën e komunës thanë se takimi ka kaluar në një atmosferë tejet miqësore dhe se kanë biseduar për projekte të përbashkëta të cilat janë në vijim, ato që së shpejti do të fillojnë të implementohen, si dhe për projekte potenciale të cilat mund t’i fitojë Komuna e Gostivarit e që financohen nga fonde të ndryshme të Bashkimit Evropian.

“Ishte nder dhe kënaqësi e veçantë për mua që të kem sot mysafir zotin euro-ambasador Zhbogar. Biseduam me të për situatën aktuale në Gostivar dhe për projektet e përbashkëta me Bashkimin Evropian. E njoftova zotin Zhbogar se nesër në ora dhjetë do të mbahet seanca e Këshillit dhe se pres që definitivisht buxheti të miratohet, sepse kjo është në interes të të gjithë qytetarëve”, tha në pronocimin e tij për media, kryetari Arben Taravari.

“Kënaqësia për takimin e sotëm ishte e imja. Njihem me zotin Taravari para se ai të zgjidhet kryetar komune, madje edhe para se të bëhet ministër i shëndetësisë. U takuam për herë të parë në Spital kur shkuam ta vizitojmë zotin Sela pas sulmit ndaj tij më 27 prill. Siç theksoi edhe kryetari Taravari biseduam për projekte për të cilat mund të aplikojë dhe t’i fitojë komuna”, theksoi Zhbogar.

Euroambasadori njoftoi po ashtu se në takim është biseduar edhe në lidhje me situatën në komunë për sa i përket buxhetit komunal.

“Duhet komuna që të zhvillohet, të ndërtohen kopshte fëmijësh ku do të vendoseshin fëmijët. Andaj unë shpresoj se që nesër buxheti komunal do të miratohet, edhe atë në kornizën në të cilën është propozuar nga kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari”, nënvizoi Zhbogar.

Në kuadër të vizitës, euro-ambasadori Zhbogar dhe kryetari Taravari, të shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tyre, bënë një shëtitje nëpër qytetin e Gostivarit.

Shërbimi për informim