Kryetari filloi turin e vizitave nëpër shkollat fillore dhe të mesme

13.11.2017

Kryetari i komunës së Gostivarit dr. Arben Taravari, turin e vizitave në shkollat fillore dhe të mesem e filloi në shkollën më të vjetër të qytetit “Ismail Qemali”. Me këtë rast ai zhvilloi një takim me të punësuarit nlë këtë shkollë dhe kërkoi nga kolektivi që të japë propozimet për caktimin e ushtruesit të detyrës drejtor shkolle.
“Dalëngadalë duhet t’i përzgjedhim drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme. Sipas meje, një ndër shkollat më prestigjioze dhe më të rëndësishme është shkolla në të cilën edhe unë vetë kam mësuar, respektivisht shkolla “Ismail Qemali”. Vlerësoj se kuadri mësimdhënës duhet të jetë pjesë e përzgjedhjes së drejtorit dhe prandaj gjendem këtu që të dëgjoj propozimet e tyre. Do marr disa propozime prej tyre dhe së shpejti do të përcaktohem për njërin prej tyre”, deklaroi për media kyretari Taravari, duke precizuar se vizita identike do të zhvillojë ditëve në vijim edhe në shkollat tjera më të mëdha të qytetit.

Në pyetjen gazetareske se cila është gjendja me ngrohjen nëpër shkolla, kryetari i komunës së Gostivarit sqaroi se aktualisht nuk ka probleme. “Prokurimi publik për naftë është bërë paraprakisht nga udhëheqësia e kaluar, me përjashtim të disa shkollave më të vogla në vendbanimet rurale ku si lëndë djegëse shfrytëzohen drutë. Sot dhe ditët në vijim do të bëhet furnizimi me naftë nëpër shkolla dhe shpresoj se nuk do të kemi probleme në këtë drejtim. Problemin që u shfaq në SHF “Mustafa Kemal Ataturk”, në qytet dhe në fshatin Zdunjë, Sektori i arsimit e tejkaloi me sukses”, sqaroi Taravari.

Shërbimi për informim