Gostivari shënoi Ditën e Mësuesit me program kulturor dhe ndarje mirënjohjesh

,

08.03.2018

E vogël ishte salla e Qendrës për Kulturë në Gostivar, për të pranuar të gjithë ata të cilët deshën që mbrëmë me pjesëmarrjen e tyre në manifestim, të shprehin respektin ndaj mësuesve.

Manifestimi qendror për shënimin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, u bë në organizim të Komunës së Gostivarit dhe i njëjti u përcoll me një program të pasur kulturor dhe me ndarje të mirënjohjeve veteranëve të arsimit.

Për rëndësinë e Ditës së Mësuesit, në emër të kryetarit të komunës Arben Taravari i cili për shkaqe objektive nuk ishte i pranishëm në manifestim, foli udhëheqësja e Sektorit për arsim, Aslian Snopçe, ndërsa për personalitetin e dy mësimdhënësve të cilët ndërruan jetë pas 7 marsit të fundit, foli moderatorja Vjollca Baftiu Zylbehari.

Mirënjohje post mortem, për kontribut të veçantë në sferën e edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja, Komuna e Gostivarit ndau për mësimdhënësit Hazir Mustafai dhe Nuri Ibrahimi, si dhe për të gjithë mësimdhënësit e pensionuar gjatë vitit shkollor 2016/2017.

Në pjesën kulturore-artistike të manifestimit, me recitale, këngë dhe valle u prezantuan nxënës të disa shkollave fillore të qytetit, si dhe grupi “Rinia”.

Manifestimi u përmbyll në një atmosferë tejet festive, për çka u përkujdesën orkestra dhe këngëtarët e AKVP “Besa”, ansambël ky që pas disa vitesh pasivitet, rikthehet fuqishëm në skenë.

Shërbimi për informim