Fituesja e çmimit mansion në olimpiadën e shkollave të mesme në Nju Jork, Gentiana Jashari në vizitë te kryetari Taravari

,

26.06.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari pranoi në kabinetin e tij nxënësen Gentiana Jashari, fituese të çmimit mansion në olimpiadën Genius – International High School Environmental Project në Nju Jork.

“Gjithmonë kam thënë se njerëzit e kulturës dhe sportit janë ambasadorët më të mirë të një populli dhe kombi nëpër botë. Gentiana ka korrur sukses në një kompeticion ndërkombëtar me karakter kulturor dhe arsimor. Kjo na bën krenar sepse ajo ka përfaqësuar atje qytetin dhe komunën tonë. Në këto shtatë-tetë muaj, komuna në bazë të mundësive ka ndihmuar kulturën dhe sportin në Gostivar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen”, theksoi kryetari Taravari.

“Falënderoj kryetarin e komunës Arben Taravari, Këshillin e komunës, administratën komunale dhe mërgimtarët e fshatit Çajlë për mbështetjen materiale. Po ashtu falënderoj Ebrar Mazarin dhe Bastri Ristemin për incizimin e këngës, si dhe mentoren time profesoreshën Besa Xhaferi Sadiki. Unë në Nju Jork nuk prezantova vetëm vetveten apo shkollën time, por prezantova gjithë Gostivarin dhe përcolla mesazhet e mia për mbrojtjen e mjedisit jetësor. Jam e lumtur që gjithë ai angazhim në fund u kurorëzua edhe me sukses”, tha Gentiana Jashari.

Në olimpiadën në New York morën pjesë nxënës prej 72 vendeve të ndryshme të botës, të cilët garuan me 729 projekte. Kolegji Jahja Kemal – Maqedoni garoi me 62 projekte duke siguruar një medalje të artë, tre medalje të argjendta dhe katër të bronzta.

Gentiana Jashari e cila është nxënëse e vitit të dytë në kolegjin Jahja Kemal në Gostivar, u kurorëzua me çmimin mansion në kategorinë e artit, e cila u prezantua me hitin New Rules të këngëtares shqiptare me famë botërore Dua Lipa dhe me një ese për senzibilizimin e popullatës për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe ndërtimin e një fabrike për riciklim të mbeturinave në Gostivar.

Shërbimi për informim