Në shtator katër çerdhe të reja do të hapin dyert për fëmijët

21.06.2018

Me fillimin e shtatorit, katër çerdhe të reja do të hapin dyert për të pranuar fëmijët e moshës parashkollore. Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari I shoqëruar nga udhëheqësja e Sektorit për veprimtari publike, Aslian Snopçe ndoq nga afër fillimin e punimeve për adaptimin e hapësirës ku do të funksionojë çerdhja e fëmijëve në kuadër të godinës shkollore në fshatin Forinë.

Kryetari Arben Taravari njoftoi se paralelisht po punohet për hapjen e çerdhes edhe në fshatin Raven, dhe se të katër çerdhe të reja do të përurohen gjatë ditëve në vijim.

Aslian Snopçe nga Sektori për veprimtari publike pranë Komunës së Gostivarit, njoftoi se krahas investimeve që bëhen në çerdhet e reja, do të bëhet edhe rinovimi i objektit kryesor të Kopshtit për fëmijë “Gëzimi fëmijëror” duke nënvizuar se me hapjen e çerdheve nëpër fshatra, do të zbutet mbingarkesa e çerdheve të qytetit, në kuptimin që fëmijët e këtyre fshatrave do të sistemohen nëpër çerdhet e vendbanimeve nga ata vijnë .

Pritet që të shkojë në minimum edhe numri I fëmijëve që qëndrojnë në listën e pritjes. Nga shtatori, në kuadër të çerdheve do të fillojnë edhe aktivitete të reja përmes të cilave do të identifikohen talentet e fëmijëve që në moshë të hershme, me qëllim që prindërit ta kenë më të lehtë në të ardhmen se nga t’i orientojnë fëmijët, respektivisht do të zhvillohen kurse të gjuhës angleze, aktivitete të arit muzikor, figurativ etj.

Paraprakisht, përfaqësues të komunës, Ministrisë së punës dhe politikës sociale dhe UNICEF-it, inspektuan kushtet e hapësirave të dedikuara për çerdhe, për të parë nga afër nëse të njëjtat i plotësojnë kriteret e nevojshme për këtë lloj dedikimi. Me përfundimin e procedurës tenderike filloi procedura e realizimi me qëllim që deri në shtator, të fillojë regjistrimi i fëmijëve.

Për vendosjen në funksion të çerdheve në Forinë dhe në Raven, do të shpenzohen 1.022.300 denarë.

Shërbimi për informim