Vendoset ndriçim dekorativ në sipërfaqet e gjelbra në Gostivar, qyteti merr pamje atraktive në orët e mbrëmjes

25.06.2018

Komuna e Gostivarit vazhdon me realizimin e projekteve për përmirësim të infrastrukturës, rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe zbukurimin e sipërfaqeve publike në territorin e saj.

Projekti i radhës i cili ka filluar me realizim është vendosja e ndriçimit dekorativ në sipërfaqet e gjelbra në pjesët më të frekuentuara të qytetit. Fillimisht ndriçim dekorativ është vendosur te unazat dekorative në parkun e qytetit, më saktësisht përballë Gjykatës.

“Ndriçimit dekorativ do të vendoset në të gjitha sipërfaqet e gjelbra në pjesët kryesore të qytetit, respektivisht në vendet më të frekuentuara nga qytetarët, siç janë parku i vogël në sheshin e qytetit, oborri te selia e Komunës, rrethrrotullimet, brezi i i gjelbër i bulevardeve dhe sipërfaqe të ngjashme. Me realizimin e këtij projekti, Gostivari do të marrë një pamje të bukur dhe me siguri do të bëhet një qytet mjaft atraktiv për shëtitje në orët e mbrëmjes”, thotë zëdhënësi Komunës së Gostivarit, Jasin Demiri.
NP “Parkingje publike dhe gjelbërime”, ka përmirësuar dukshëm gjendjen me gjelbërimin nëpër qytet me rrethinë, ndërsa ky trend në të ardhmen do të vazhdojë me intensitet të shtuar.

Shërbimi për informim