Kamion i ri IVECO për grumbullim të mbeturinave – donacion nga Turqia për Komunën e Gostivarit

29.12.2018

Në shërbim të Ndërmarrjes Publike “Komunalec” është vendosur një kamion i ri për mbledhjen e mbeturinave. Bëhet fjalë për një donacion që vjen nga Unioni i Komunave Turke, përfaqësues të të të cilit qëndruan sot në Komunën e Gostivarit për të bërë pranim dorëzimin e këtij donacioni.

Mysafirët u pritën nga kryetari i komunës, Arben Taravari i cili me këtë rast i falënderoi donatorët, duke  nënvizuar se bëhet fjalë për një dhuratë e cila i është premtuar gjatë vizitës së tij të fundit në Ankara.

“Falënderoj sinqerisht Unionin e Komunave Turke, pasi që prej kur unë jam kryetar  komunës kemi pasur disa donacioni prej Rpeublikës së Turqisë, dy auto-ambulanca të reja të tipit Mercedes, tash na mbërrit kamioni i ri për grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave i tipit Iveco, po ashtu i ri, ndërsa shpresojmë në maj të pranojmë edhe një kamion tjetër më të madh. Shumë shpejt, ndoshta në janar, si donacion nga Turqia do të ndërtojmë një lojtore të madhe në një pjesë të parkut të qytetit”, nënvizoi kryetari Taravari.

Ushtruesi i detyrës sekretar i Unionit të Komunave Turke, Ahmet Kazan tha se ideja e këtij donacioni vjen pas konsultimit me kryetarin e komunës, i cili e ka theksuar nevojën për një kamion për bartjen e mbeturinave

“Dëshiroj të ju përcjell përshëndetjet e popullit turk si dhe të falënderoj kryetarin e komunës së Gostivarit për mikpritjen. Kohë më parë Arben Taravari na njoftoi se komuna që drejton ai e ka të nevojshëm një kamion për bartjen e mbeturinave dhe ne si Unionin i Komunave Turke u munduam që kësaj kërkese t‘i përgjigjemi për një kohë sa më të shkurtër. Donacioni në fjalë vjen në kuadër të një programi vjetor në nivel të Ballkanit. Ne si popull kemi një lidhshmëri të ngushtë me popullatën e Gostivarit, andaj shpresojmë se marrëdhëniet e mira mes nesh, të vijojnë edhe në të ardhmen” tha Ahmet Kazan.

Ndërkaq, drejtori i NP “Komunalec”, Isak Lazami, tha se donacioni në fjalë do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve duke nënvizuar se do të vijojnë me përpjekjet që të sjellin edhe kamionë tjerë që do të vendosen në shërbim të ngarkim-shkarkimit të hedhurinave.

Shërbimi për informim