Kryetari Taravari mirëpriti kampionin ballkanik Doan Osmani

06.12.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari priti në kabinetin e tij kampionin e dyfishtë ballkanik në karate U21, Doan Osmani.

Duke ia uruar suksesin e radhës karateistit nga Raveni i Gostivarit, Taravari tha se sportistët janë ambasadorët tanë më të mirë në botë dhe se është i bindur që në të ardhmen Doani dë të shënojë rezultate të lakmueshme edhe në nivel evropian dhe botëror.

“Vazhdimisht e theksoj se sportistët janë ambasadorët tanë më të mirë në vende të ndryshme. Në fushën e karatesë, krahas Berat Jakupit, tashmë kemi edhe ambasadorin e dytë, pra Doan Osmanin, i cili si njëzet vjeçar ka para perspektivën në sportin e karatesë. Uroj që në të ardhmen të krijojë një karrierë akoma më të suksesshme dhe të përsëritë suksesin e Berat, e pse jo edhe ta tejkalojë, për çka do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme të Komunës së Gostivarit”, u shpreh kryetari Taravari.

Doan Osmani tha se ndjehet i respektuar që është mysafir I kryetarit Taravari dhe në pika të shkurta e njoftoi atë me karrierën e tij sportive.

“Me karate merrem që nga vegjëlia, respektivisht që nga viti 2004. Kam fituar rreth dhjetë medalje në konkurrencë të moshave të ndryshme. Titullin kampion ballkanik në U 21 e fitoj për të dytin vit me radhë, vitin e kaluar në Herceg Novi të Malit të Zi dhe sivjet në Dubrovnik të Kroacisë. Tash po përgatitem për kampionatin evropian që vitin e ardhshëm do të mbahet në Danimarkë”, u shpreh Doan Osmani.

Osmanin në vizitë te kryetari Taravari e shoqëroi kampioni evropian Berat Jakupi me të cilin kanë ushtruar në të njëjtin klub, respektivisht në KK Fati dhe me të cilin kanë një bashkëpunim të shkëlqyer.

Shërbimi për informim