Komuna e Gostivarit vendosi në funksion stacionarin e dytë për qentë endacak

Kryetari Taravari: Për dy vite kemi trajtuar rreth 500 qenë endacak

Komuna e Gostivarit ka vendosur zyrtarisht në funksion stacionarin e dytë për qentë edacak. Ky investim i radhës nga Komuna e Gostivarit vjen falë projektit në kuadër të Programit “Më ofro strehë për shpëtim”, financuar nga Programi rajonal në Ballkanin Perëndimor ReLOaD me financim të BE, bashkë-financim të Komunës së Gostivarit dhe implementim nga UNDP-së. Në lëshimin në përdorim të stacionarit të ri ka marrë pjesë kryetari Arben Taravari, i cili me këtë rast deklaroi se për dy vite nga 700 qenë sa mendohet të ketë Gostivari, rreth 500 janë operuar dhe një pjesë e tyre janë vendosur te dy staconarët për endacak.

“Mendoj se Komuna e Gostivarit ka nevojë për një stacionar si ky, dhe ky stacionarë është i dyti që e ndërtojmë, ndërsa i pari ndodhet 300-400 metra më mposhtë se satcionari i ri. Në këto të dy qendra kemi të vendosura afërsisht 110 qenë. Iniciativa jonë për trajtimin e qenve endacak nuk nis prej sot. Prej kur e kemi marrë pushtetin lokal kemi trajtuar 370 qenë endacak të cilët janë të operuar, respektivisht të sterilizuar dhe të kastruar. Shpresojë sa më pak qenë të kemi tani e tutje rrugëve të Gostivarit, ndërsa këtë qendrër planifikojmë ta zgjerojmë e pse jo të ndërtojmë edhe një qendër tjetër”, deklaroi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Kryetari Taravari ka kërkuar masa të rrepta për pengim të sjelljes së qenve nga komunat tjera nga policia. Sipas tij, ky problem i cili tangon gjithë shtetin, duhet ta shqetësojë edhe qeverinë që edhe ajo të merr masa për zgjidhjen e problemit me qentë edacak.

“Gjatë vitit 2018-të bëmë një analizë fizibiliteti dhe vlerësimet ishin se në Gostivar afërsisht ka 700 qenë endacak. Prej tyre 370 janë operu dhe 110 janë vendosur në dy qendrat dhe praktikisht i bie që në të gjithë territorin e Gostivarit të ketë 200 qenë. Por, përshtypja është se ka më shumë. Ata transportohen nga qytete tjera te ne dhe pa ndihmën e policisë ne si pushtet lokal nuk mund ta parandalojmë këtë problem. Jemi në koordinim me policinë dhe disa herë u kemi dërguar video ku shihet se si qentë lëshohen në Gostivar nga qytetet tjera, por deri tani si kryetar komune nuk kam asnjë informatë se policia ka marrë ndonjë hap për të parandaluar këtë fenomen”, shtoi kryetari i Komunës së Gostivarit, ArbenTaravari.

Me hapjen e kësaj qendre, do të rritet kapaciteti i strehimit të qenve endacakë dhe përmes kësaj duke forcuar masat parandaluese, ky problem shumëvjeçar do të vihet nën kontroll dhe reduktohet deri në maksimum endacaktët. Biljana Georgievska – projekt koordinatore pranë UNDP-së në Maqededoni, theksoi se Komuna e Gostivarit është nga komunat e pakta në vend që ka punuar për reduktimin e endacakëve nga rruga.

“Ky është një nga shtatë projektet që përkrahen në Komunën e Gostivarit dhe falenderim i madh deri te Komuna e Gostivarit e cila bashkë-financon një pjesë të aktiviteteve në të gjitha shtatë projektet. Poashtu, Komuna ka dhënë mbështetje financiare edhe për mjetet shtesë që nuk ishin paraparë në projekt. Më gëzon fakti se ky projekt ka ardhur si nevojë e qytetarëve të Gostivarit ku në prill  të 2019-tës me organizimin e debatës publike, organizatat qytetare dhe qytetarët i definuan prioritetet e Gostivarit për këtë vit dhe në bazë të atyre prioriteteve u bë edhe thirrja publike dhe erdhi ky projekt me të cilin do të trajtohen qentë endacak”, thekson Biljana Georgievska – projekt koordinatore pranë UNDP-së në Maqededoninë e Veriut.

Te stacionari i ri, i cili përkohësisht do të jetë nën monitorim të Shoqatës civile “Iniciativa për Integrim Qytetarë (IIQ) – Gostivar”, janë punësuar 4 persona. Aneta Filiposka, projekt koordinatore pranë kësaj shoqate, thotë se projekti parasheh edhe strehim të endacakëve dhe nëpër familje.

“Apel deri te qytetarët të cilët kanë qenë në shtëpi, ta mirëmbajnë dhe vaksinojnë rregullisht atë, e nëse nuk dëshirojnë t’i mbajnë, duhet t’i sjellin te ky stacionarë. Qytetarët që kanë dëshirë të mbajnë qenë, u bëjmë aple t’i hapin shtëpitë e tyre për këto kafshë të pastrehë”, tha Aneta Filiposka, projekt koordinatore pranë Shoqatës civile “Iniciativa për Integrim Qytetarë (IIQ) – Gostivar”.

Stacionari i ri ndodhet në afërsi të stacionarit të vjetër te ish kazermat në fshatin Banjicë ka 30 bokse, ndërsa ngritja e tij ka kushtuar 9000 euro. Komuna e Gostivarit ka bashkë-financuar 25 për qind të mjeteve dhe ka mbuluar të gjitha harxhimet tjera që nuk kanë qenë të parapara në projekt.