Sqarim për opinionin – Komuna e Gostivarit nuk investon në objekt inekzistent

24. 01.2020

Në lidhje me dezinformatat e plasuara në disa portale informative, kinse kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari investon në objekt inekzistent, e ndjejmë për obligim t’ia sqarojmë opinionit të gjerë se me Vendim të Këshillit të Komunës së Gostivarit, në seancën VI të mbajtur më datë 31.08.2018 i është dhënë prioritet Rikonstruktimit të objektit Shtëpia e kulturës “Bozhidar Mickoski” në fshatin Zhelezna Rekë.

Asokohe, kryetar i Këshillit të Komunës së Gostivarit ka qenë Nasir Musliu (siç mund të shihet edhe në dokumentin më poshtë) dhe shumicën në këshill e kanë përbërë BDI dhe LSDM.

Kryetari i i komunës, konform ligjit për vetëqeverisje lokale, e përfaqëson Komunën dhe është organ ekzekutiv që duhet të realizojë vendimet e Këshillit të Komunës.

Arben Taravari, në cilësinë e kryetarit të komunës dhe kompetencave të tij, ka bërë kërkesë deri te Agjencia për Përkrahje Financiare të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për realizim të vendimit përkatës të Këshillit.

Po ashtu, të gjitha procedurat e mëtejshme janë bërë në kuadër të normave ligjore, ndërsa nga fotografia më poshtë shihet edhe objekti për të cilin disa portale pretendojnë se i njëjti nuk ekziston.

Të theksojmë se ky sqarim bëhet enkas për të informuar qytetarët, sepse edhe institucionet shtetërore edhe vetë portalet janë në dijeni se kjo është vetëm një gënjeshtër e kulluar. Nëse eventualisht, gabimi është bërë pa qëllim, lusim portalet që në të ardhmen për çdo dyshim të drejtohen në Komunën e Gostivarit dhe të marrin informata të sakta për punën tonë.

Shërbimi për informim