Shqyrtohen mundësitë për rritjen e efikasitetit të komunës në aspektin fiskal dhe planifikimi i projekteve

25.02.2020

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, priti sot drejtorin ekzekutiv të financave publike të USAID për Maqedoni, John Yates, me të cilin shqyrtuan mundësitë për rritjen e efikasitetit të komunës në aspektin fiskal dhe planifikimin e projekteve.

Në takimin ku morën pjesë edhe shefi I kabinetit Valbon Limani dhe përgjegjësi I ZHEL-it, Besim Dogani, kryetari Taravari e njoftoi drejtorin Yates me sukseset dhe sfidat me të cilat ballafaqohet komuna e Gostivarit në fushën e vjeljes së taksave komunale, ekzekutimin e buxhetit dhe implementimin e projekteve.

“Prej kur e kam pranuar detyrën e kryetarit të komunës së Gostivarit, shënojmë rritje në vjeljen e taksave komunale në nivel prej 15%, ekzekutimi i buxhetit krahasuar me planifikimin arrin në lartësi prej rreth 95%, si dhe kemi realizuar projekte të shumta kapitale kryesisht me mjete vetjake por edhe si donacione nga organizatat ndërkombëtare dhe vendet mike të shtetit tonë”, theksoi kryetari Taravari.

Kryetari i komunës së Gostivarit, potencoi nevojën për decentralizim të mirëfilltë fiskal me çka do të rriten mundësitë e njësive të vetëqeverisjes lokale për efikasitet më të madh në planifikimin e buxhetit dhe investimet kapitale, sidomos duke pasur parasysh se komunat janë institucionet të cilat më së miri janë të njoftuara me nevojat reale të qytetarëve të saj.

Drejtori John Yates u ndal në bashkëpunimin  e mundshëm për aplikim të përbashkët në thirrjen publike të USAID-it, me ç’rast njoftoi kryetarin dhe bashkëpunëtorët e tij për katër komponentët e asistencës teknike që ofrohen përmes kësaj thirrjeje me vlerë prej 5 deri më 7 milion dollarë amerikanë.

Ai e vuri theksin në rritjen e nivelit të vjeljes së taksave komunale, përmirësimin e planifikimit të projekteve, rritjen e buxhetit të komunës dhe nevojën për decentralizim fiskal.

Shërbimi për informim