Komuna e Gostivarit shtron drekë solemne për mësimdhënësit e pensionuar shqiptarë

,
6 MARS, 2020

Me rastin e 7 marsit, ditës së mësuesit shqiptarë, Komuna e Gostivarit ka organizuar drekë solemne për të gjithë mësimdhënësit e pensionuar shqiptar të Gostivarit.

Ata u pritën nga vetë kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Dreka e shtruar në restorant “Ignatia”, ishte e dyta e këtij lloji, pasi komuna këtë organizim e bëri më 7 mars edhe vitin e kaluar.

Kryetari Taravari, mësimdhënësit e pensionuar i ka cilësuar më meritorët e kombit. Të pranishmit i ka përshëndetur edhe përgjegjësja e sektorit të arsimit pranë komunës së Gostivarit, Aslian Snopçe.

Para të pranishmëve, nxënësja Hana Durmishi, e cila ishte njëra nga gjashtë nxenëset fituese në garën e organizuar nga Komuna e Gostivarit për nder të mësuesit shqiptar, lexoi esenë e saj fituese.

Mësimdhënësi në pension, Ismet Beqiri ka përshëndetur të pranishmit në emrin e kolegëve të tij.

Komuna e Gostivarit ka ndarë dy mirënohje gjatë kësaj ceremonie, një për koreografin Haki Mulliqi nga Kosova, i angazhuar në Sh.K.A Jahi Hasani dhe një për këtë shoqëri, pasi të njejtit kishin pergatitur një koregrafi për këtë ditë tek Qendra për Kulturë në Gostivar.

Manifestimi nuk u mbajt pasi në vendin tonë ka ndalesë për tubime publike per shkak të virusit korona.

Në fund të takimit, për të pranishmit u ndanë fotografi nga takimi i 7 marsit të vitit të kaluar.

Në takimin e sivjetshëm merrnin pjesë 200 mësimdhënës shqiptar të pensionuar ndër vite.

Shërbimi për informim