Kumtesë në lidhje me fillimin e vitit shkollor 2020-2021

,

Komuna e Gostivarit gjegjësisht Sektori i arsimit më datë 10.08.2020, në mbledhjen e mbajtur me përfaqësuesit e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme ne lidhje me draft-planin dhe protokollin për mbajtjen e mësimit për  vitin shkollor 2020/2021, kërkuan nga shkollat që të dorëzohet raport nga pyetësori i përgatitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në lidhje me fillimin e vitit shkollor sipas tre modeleve:

  1. Me prezencë fizike në shkollë,
  2. Modeli i kombinuar 50:50,
  3. Mësim online

Anketa është realizuar me mësimdhënësit, shërbimin profesional të shkollave dhe prindërit.

Nga raportet e dorëzuara deri te Sektori i arsimit nga ana e shkollave të mesme dhe fillore, rezultatet nga anketat janë me përqindje më të madhe për Modelin 1: mësimi të zhvillohet me prezencë fizike, ndërsa për dy modelet e tjera atë të kombinuar dhe mësimin online kemi qëndrime të ndryshme nga shkollat, ku diku favorizohet modeli i dytë e diku i treti.

Sa u përket shkollave ata te gjitha deklarohen se janë të gatshëm për fillimin e vitit shkollor mirëpo shprehet nevoja për rritjen e personelit të mirëmbajtësve të higjienës për të realizuar protokollin e paraparë sipas modelit të parë, kërkesa nga disa shkolla është edhe realizimi i testit për Covid 19 për personelin arsimor, ndërsa nëse vendoset për mësimin në distancë online, disa nga shkollat kërkojnë trajnim të mësimdhënësve për realizim efektiv të mësimit. Ndërkaq shkolla e mesme e mjekësisë, në raportin e tyre kanë marrë  vendim unanim për fillim online të mësimit për vitin shkollor 2020/2021 duke mos e përkrahur modelin e parë për arsye të numrit të madh të nxënësve  dhe mungesës së kushteve dhe hapësirave për respektim të protokollit për Covid-19.

Sektori i Arsimit është në përfundim të grumbullimit të të dhënave dhe informatave nga shkollat e mesme dhe fillore, të cilat pastaj do të përcillen deri te Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ku theks i veçantë do të vihet mbi këto nevoja dhe kërkesa nga ana e shkollave siç janë: – rritja e numrit të punonjësve të higjienës, -trajnimi i mësimdhënësve për zhvillimin e mësimit në distancë si dhe realizimi i testit për Covid-19 të personelit mësimdhënës.

Mund të përfundojmë se edhe përpos gatishmërisë së shkollave për fillimin e vitit shkollor në muajin shtator, në komunën e Gostivarit, ne përsëri do të respektojmë vendimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.