Vendosen në Gostivar kosha për grumbullimin e shisheve të plastikës dhe kartonit
09.09.2020
Në drejtim të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit jetësor, Komuna e Gostivarit nëpërmjet ndërmarrjes publike “Komunalec” ka vendosur kosha për grumbullimin e shisheve të plastikës dhe kartonit në pjesët më të frekuentuara të qytetit.
“Për momentin kemi vendosur kosha vetëm në pesë lokacione, edha atë në qendër, në dy lokacione te shëtitorja e lumit Vardar, te tregu i vogël dhe përballë Qendrës për kulturë. Kjo më tepër si fillim, apo si ngritje e vetëdijes së qytetarëve, e më pas do të vendosim edhe në shumë lokacione tjera, me shpresë se në një të ardhme të afërt, grumbullimi i mbetjeve të bëhet në mënyrë tërësisht selektive”, njoftojnë nga ndërmarrja publike komunale.
Koshat janë punuar nga vetë punëtorët e ndërmarrjes publike dhe dallojnë për nga forma, respektivisht ato për hedhjen e shisheve të plastikës kanë formën e shishes, ndërsa ato për hedhjen e kartonit kanë formën e kafazit.
Është lidhur marrëveshje me një kompani e cila do t’i grumbullojë ato, respektivisht rregullisht do t’i zbrazë ato dhe do t’i dërgojë në reciklim.
Shërbimi për informim