Komuna e Gostivarit vazhdon projektin e USAID-it “Partnerët e rinj dhe buxhetimi më i mirë komunal”

Një Memorandum bashkëpunimi u nënshkrua sot në Shkup, ku merrnin pjesë Ambasadorja amerikane, Kate Marie Byrnes, ministrtat e financave dhe pushtetit lokal dhe kryetarë komunash.
Në fjalimin tim thashë se Komuna e Gostivarit si një nga 16 komunat partnere filloi bashkëpunimin intensiv me projektin vitin e kaluar, diku në maj të vitit 2021 me ç’rast personalisht kam marrë pjesë në aktivitete dhe evente ku kam dëgjuar “nga dora e parë” por edhe nga kolegët e mi kryetarë përvoja apo rekomandime për çështje të caktuara në fushën e përditësimit të bazës së të dhënave të taksapaguesve, si dhe promovimi i moralit tatimor, bashkëpunimi me sektorin e biznesit dhe zhvillimi i strategjive për zhvillimin ekonomik vendor. Përkrahja e Projektit të USAID-it për forcimin e kapaciteteve tona se si të jemi më transparent ndaj qytetarëve është thelbësore, por edhe si t’i përfshijmë ata në proceset e vendimmarrjes, veçanërisht në planifikimin e buxheteve komunale.
Në këtë kontekst, citoj fushatën të cilës iu bashkua edhe Komuna e Gostivarit: “TATIMI IM, PËR KOMUNËN TIME! DERI NË KOMUNA MË TË MIRA, DUKE PAGUAR NË KOHË TATIMIN NË PRONË!, Që mendoj se erdhi në momentin e duhur. Falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e vendit tonë, si dhe të KOMUNAVE tona, si dhe të mbështesin njësitë e qeverisjes vendore në forcimin e kapaciteteve të tyre dhe përmirësimin e decentralizimit fiskal.