Komuna e Gostivarit përkujtoi dëshmorët e flamurit

Komuna e Gostivarit përkujtoi Dëshmorët e Flamurit, të cilët më 9 korrik të vitit 1997, dhanë jetën e tyre, për avancimin e të drejtave shqiptare dhe për flamurin kombëtar, Nazmi Saliu nga fshati Turçan i Vogël, dr.Shpend Iseini nga fshati Forinë dhe Milaim Dauti nga fshati Dobërdoll. Homazhe mbi varret dhe përmendoret e dëshmorëve, bëri një delegacion nga Komuna e Gostivarit.

Delegacioni i Komunës së Gostivarit bënë homazhe te busti i Nazmi Saliut, ku të pranishëm ishin edhe familjarët e dëshmorit. Po ashtu lule të freskëta u vendosën te vendprehja e dr. Shpend Iseinit në fshatin Forinë, të cilëve iu bashkangjitën edhe famijarë të shumtë dhe banorë të Forinës. Nga aty, destinacioni i radhës ishte fshati Dobërdoll ku po ashtu u vendosën lule para bustit të dëshmorit Milaim Dautit.

Qytetarët e Gostivarit dhe rrethinës, pas plotë 25 viteve përkujtojnë ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, ngjarje kjo e ngelur në memorien e tyre si një datë sublime e krenarisë së dhimbshme shqiptare në mbrojtje të flamurit kombëtar. Pikërisht më këtë datë para 25 viteve, qytetarët shqiptarë të Gostivarit u mblodhën përpara kuvendit komunal të Gostivarit, për të protestuar në mënyrë paqësore kundër heqjes së flamurit shqiptar, sfidë kjo e cila u shoqërua me ushtrimin e dhunës, forcës dhe shtypjes të shtetit të Maqedonisë ndaj popullatës shqiptare. U aktivizua edhe Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, e cila më 21 maj 1997, u deklarua se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar”.

Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan rreth 30 veprimtarë politikë shqiptar, përfshi këtu edhe kryetarin e atëhershëm të Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani. Ngjarjet e përgjakshme të 9 korrikut, u shoqëruan edhe me pasoja afatgjate. Nga rrahja dhe keqtrajtimet ç’njerëzore të policisë, brenda kësaj kohe, ndërruan jetë edhe shumë qytetarë të tjerë shqiptar.