Komuna e Gostivarit organizoi tryzë të rrumbullakët mbi ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave

 

Komuna e Gostivarit në bashkëpunim me Këshillin Nacional për Barazi Gjinore promovuan fushatën “Nuk do të hesht”, e cila zgjati nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor.

Përmbyllja e fushatës u manifestua sot në tryezën e rrumbullakët në hapësirat YCC Gostivar, ndërsa të pranishëm ishin aktivistë, gazetarë dhe persona nga shoqëria civile.

Qëllimi kryesor i kësaj fushate ishte inkurajimi i viktimave dhe dëshmitarëve që të raportojnë dhunën në numrin celular falas SOS 141 700 pa prefiks, linjë e cila është e disponueshme 24/7 dhe përmes së cilës garantohet diskrecioni.

Krahas denoncimit të dhunës, qëllimi i fushatës ishte motivimi i njerëzve të mos heshtin kur ndodh dhuna ndaj grave, pavarësisht nëse janë viktimë ose dëshmitarë, të kapërcehet stigmatizimi dhe viktimizimi i dyfishtë i viktimave dhe të nxitet debat rreth parandalimit të dhunës ndaj grave.

Pas përfundimit të fushatës, linja falas për denoncim të dhunës ndaj grave do të jetë e disponueshme dhe inkurajojmë të gjitha viktimat dhe dëshmitarët të raportojnë dhunën.