Bëhet hapi i parë për bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet Komunës së Gostivarit dhe sektorit joqeveritar

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari, ftoi në takim përfaqësues të të gjitha organizatave joqeveritare që veprojnë në Gostivar. Ftesës iu përgjigjën gati se të gjitha organizatat, shoqatat dhe shoqëritë aktive që merren me sfera të ndryshme të jetës shoqërore.

Në takim, përfaqësuesit e OJQ-ve njoftuan kryetarin me punën dhe misionin e tyre si dhe me aktivitetet kryesore që kanë realizuar gjatë funksionimit të tyre. Nga kryetari Taravari, ata morën garanci se do ta kenë mbështetje të plotë nga ana e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij dhe se kjo çështje do të standardizohet me hapa dhe veprime konkrete

Takimi u shfrytëzua për caktimin e një kornize për bashkëpunim të mirëfilltë ndërmjet Komunës dhe organizatave joqeveritare, me ç’rast nga të dyja palët u hodhën ide që të krijohet një trup i përbashkët koordinativ për bashkëpunim.

U ra dakord që si përfaqësues i Komunës së Gostivarit të caktohet Besim Dogani nga Zyra për ZHEL dhe implementim të projekteve, ndërsa nga sektori joqeveritar, drejtori ekzekutiv i ADI-t, Lulzim Haziri.

Po ashtu, kryetari Taravari u zotua se prej vitit të ardhshëm do të caktohet pozicion i veçantë në buxhetin komunal për mbështetje financiare të sektorit joqeveritar, si dhe se në ueb faqen zyrtare të Komunës së Gostivarit do të vendosen linqet e të gjitha OJV-ve lokale.

Në fund të takimit, u organizua një koktej rasti, ku kryetari të pranishmëve ua uroi edhe festat e fundvitit.

Shërbimi për informim