Filloi zbatimi i këndit ”Përshëndetje Taravari”, qytetarët mund të shprehin sugjerimet dhe vërejtjet e tyre

24/11/2017

E marta nuk është dita e vetme ku qytetarët e Gostivarit do të mund t’i drejtohen kryetarit, z. Arben Taravari. Ashtu siç ishte paralajmëruar, nga dita e premte ka filluar zbatimi i këndit të ri të komunikimit të drejtpërdrejt “Përshëndetje Taravari”, një model që filloi të zbatohet fillimisht në Ministrinë e Shëndetësisë në kohën kur këtë ministri e drejtonte kryetari i ri i Komunës së Gostivarit.

Këndi”Pershendetje Taravari”, u mundëson qytetarëve që përmes mesazheve elektronike në “Whatsapp” dhe “Viber” të mund të drejtohen për çdo ide, sugjerim, lëvdatë ose për parregullsi, përpjekje për korrupsion dhe tjera parregullsi që lidhen me funksionimin e Pushtetit Lokal në Gostivar.

Në faqen zyrtare të Komunës së Gostivarit (www.gostivari.gov.mk) është vendosur baneri me numrin e telefonit: 070 85 80 05 ku qytetarët mund të vendosin komunikim të drejtpërdrejt me kryetarin e Komunës së Gostivarit, z. Arben Taravari.

Shërbimi për Informim,
Komuna e Gostivarit