Ish kryetarët e komunës së Gostivarit urojnë Taravarin

10.11.2017

Ish kryetarët e komunës së Gostivarit Rufi Osmani, Enver Zenku dhe Xhemail Rexhepi, si dhe ish kryetari i Këshillit të Komunës Refik Dauti, ishin sot mysafirë të kryetarit Arben Taravari.
“Kam kënaqësinë që sot të pres të gjithë ish kryetarët e, do të thoja, Gostivarit demokratik prej vitit 1992 e këndej, përveç njërit i cili nuk erdh as të bëjë pranim-dorëzimin e detyrës, si dhe ish kryetarin e Këshillit të Komunës z. Refik Dauti.

Shpresoj që kjo të mbetet edhe si traditë në Gostivar, që kryetari aktual t’i pret si mysafirë ish kryetarët, e pse jo edhe si këshillues për mbarëvajtje të menaxhimit me komunën. Tash do të bisedojmë dhe pres prej tyre që të më japin edhe këshilla se si do të ishte mirë që të menaxhohet komuna”, deklaroi shkurt për mediat kryetari i komunës së Gostivarit dr. Arben Taravari.

Në emër të mysafirëve, deklaratë për media dha edhe kryetari i komunës së Gostivarit në periudhën 1996-1998 dhe 2009-2013, prof.dr. Rufi Osmani.

“Erdhëm së bashku që kryetarit aktual dr. Arben Taravari, t’ia urojmë fitoren e pastër demokratike dhe t’i japim mbështetje që këtë mandat ta ketë të suksesshëm dhe nëse ka nevojë t’i ofrojmë edhe asistencë profesionale dhe menaxheriale. Jam i bindur se me mbështetje edhe të qeverisë aktuale, e cila këtë ia ka borxh dr. Taravarit, ai ta nisë dhe përfundojë me sukses shërimin ekonomik social dhe institucional të Komunës së Gostivarit”, deklaroi Osmani duke shprehur bindjen se dr. Taravari, ashtu siç ishte ministri më i suksesshëm, do të jetë edhe kryetar më i suksesshëm dhe se do të realizojë më shumë sesa të gjithë kryetarët e deritashëm së bashku.
Ish kryetarët Osmani, Zenku dhe Rexhepi i dhuruan kryetarit aktual Taravari një pikturë artistike, vepër e piktorit të mirënjohur nga Gostivari, Ylber Zylfiqari.

Shërbimi për informim