Komuna ndihmon financiarisht një familje në nevojë nga Gostivari

22.01.2018

Afërdita Hamza nga kabineti i kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, vizitoi sot familjen tre-anëtarëshe Josifoski nga lagja “Tullana” e Gostivarit, e cila përballet me probleme të mëdha financiare dhe shëndetësore.

Familja Josifoski e njoftoi znj. Hamza se ata jetojnë me një ndihmë sociale prej 2.300 denarësh, shtëpinë e kanë në gjendje shumë të keqe dhe se krahas kësaj vajza e tyre është e me aftësi të kufizuara dhe e sëmurë, ndërsa trajtimin e saj mjekësor ata nuk mund ta përballojnë financiarisht.

Znj. Hamza e njoftoi familjen Josifoski se Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në përputhje me kompetencat e tij, do të sjellë vendim për ndarjen e ndihmës financiare.

Ndryshe, në ndihmë të familjes Josifoski ka dalë edhe Bashkësia lokale “Tullana” të cilët do t’ia meremetojnë shtëpinë, ndërsa qytetarët kanë organizuar edhe aksione humanitare për grumbullim të mjeteve financiare dhe produkteve ushqimore.

Shërbimi për informim