Takim informativ me drejtorët dhe ndihmës drejtorët e shkollave publike
01.12.2017
Në mjediset e Komunës së Gostivarit, përfaqësues të administratës komunale realizuan një takim informativ me drejtorët dhe ndihmës drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme.
Në takim, drejtuesit e shkollave u infromuan në lidhje me mënyrën e financimit të shkollave, menaxhimin dhe hapat konkret që duhet ndërmarrë për mbarëvajtje sa më të sukseshme të procesit edukativo-arsimor dhe aktivitete jashtëmësimore.
Përgjegjësja për arsim pranë Komunës së Gostivarit, znj. Aslijan Snopçe i informoi të pranishmit se komuna do tu jep mbështetje maksimale institucioneve arsimore, por do të rrisë edhe kontrollin dhe do të kërkojë sukses në menaxhim.
“Drejtorët e rinj do të kenë mbështetjen tonë të plotë, por do të duhet të bashkëpunojnë edhe me drejtorët e vjetër që të shfrytëzojnë përvojën e tyre. Do të përcillet vazhdimisht puna juaj dhe do të kërkohet rezultat konkret. Me përkushtim të udhëheqësive të shkollave, kuadrit arsimor dhe të punësuarve të tjerë, do të rritet edhe interesimi i prindërve dhe komunitetit që të ndihmohen shkollat për të krijuar kushte më të mira. Është me rëndësi që të mos bëhen shpenzime të kota dhe mjetet e kursyera të shfrytëzohen për investime apo aktivitete të dobishme”, theksoi znj. Snopçe.
Për mënyrën e financimit të shkollave, si dhe buxhetin për vitin 2017 dhe buxhetin që planifikohet për vitin 2018, të pranishmit i njoftoi përgjegjësi për financa pranë Komunës së Gostivarit, Sadri Elezi, i cili shprehu gatishmëri për bashkëpunim dhe asistencë shkollave për çdo informatë në lidhje me financat, ku së shpejti do të punësohet një ekonomist në Komunë, i cili do të merret ekskluzivisht me çështjen financiare të shkollave fillore dhe të mesme.
Përvoja pozitive nga menaxhimi i sukseshëm me institucione arsimore në vendet e zhvilluara, drejtuesve të shkollave u shpalosi Jasin Demiri.
Komuna e Gostivarit do t’i përkushtojë një rëndësi të veçantë arsimit, për këtë arsye edhe ka hapur një kënd të veçantë në web faqen zyrtare, respektivisht këndi “Departamenti i arsimit”.
“Në këtë kënd të posaçëm të web faqes, do të jepen të gjitha informatat e nevojshme për shkollat e Gostivarit, andaj kërkojmë prej jush që të na njoftoni për çdo aktivitet në shkollën tuaj që ato t’i pasqyrojmë në faqen e internetit”, tha Agon Fejza, web administrator i faqes së Komunës.
Në fund të takimit, u zhvillua një bashkëbisedim i frytshëm ndërmjet drejtuesve të shkollave dhe përfaqësuesve të Komunës në drejtim të tejkalimit të problemeve.
Shërbimi për informim