Kryetari Taravari priti ambasadoren Petroviq – do të binjakëzohen Komuna e Gostivarit dhe Ulqnit
22.12.2021
Kryetari i komunës së Gostivarit – Arben Taravari, mirëpriti sot në kabinetin e tij ambasadoren e Malit të Zi në Shkup – znj. Marija Petroviq.
“Në takimin tonë të dytë brenda një viti, konfirmuam bashkë se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mes vete kanë një miqësi dhe bashkëpunim të mirë, respektojnë të njëjtat vlera, përkatësisht Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Për të forcuar akoma miqësinë tonë, kemi vendosur që Komuna e Gostivarit të binjakëzohet me Komunën e Ulqinit, binjakëzim i cili do të sjellë zhvillim të turizmit, arsimit dhe fonde nga BE për të dy qytetet”, njoftoi Taravari pas takimit.
Ambasadorja malazeze, ia uroi kryetarit Taravari mandatin e dytë dhe u interesua për sfidat në mandatin e ri.
Gjatë takimit u theksua se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë një rol të rëndësishëm dhe konstruktiv në avancimin e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku qytetarët tregojnë pjekuri demokratike. Konstatim i përbashkët ishte se të dy vendet duhet të vazhdojnë në mbajtjen e marrëdhënieve të mira dypalëshe dhe me këtë të përforcohet edhe bashkëpunimi ekonomik.
Shërbimi për informim