Kryetari Limani merr pjesë në World Urban Forum në Kajro të Egjiptit

Kryetari Limani merr pjesë në World Urban Forum në Kajro të Egjiptit

Kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani merr pjesë në Sesionin e 12-të të Forumit të Botës Urbane, Programi i Vendbanimeve Njerëzore të Kombeve të Bashkuara (UN-Habitat), që zhvillohet në Kajro të Egjiptit, nga 4 deri më 8 nëntor 2024.

Ky është një moment historik për Gostivarin, pasi një kryetar komune për herë të parë merr pjesë në këtë Forum, i cili ofron partneritetin e Gostivarit me UN-Habitat. Ky forum Gostivarit do t’i afrojë një platformë për t’u përfshirë në diskutime globale rreth urbanizimit dhe për të mësuar nga vendet dhe palët e tjera të interesit dhe për të vazhduar ndërtimin e Gostivarit një qytete të qëndrueshme dhe elastike për brezat e ardhshëm.

Kryetari Limani në këtë Forum ku ka folur edhe kryeministri i Egjiptit, Mostafa Madbouly dhe Anacláudia Rossbach, zv.seretarja e përgjithshme dhe drejtore ekzekutive e Programit të Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Njerëzore (UN-Habitat), ka pasur takime të shumta me personalitete të ndryshme nga e mbarë bota.

“Pjesëmarrja në Kajro në Forumin e Botës Urbane, midis personalitetesh të shkëlqyer, ndarja e eksperiencave të ndërsjellta dhe vendosja e marrëveshjeve për bashkëpunime të frytshme për Gostivarin, ishte një përvojë e Jashtëzakonshme”, thotë kryetari i komunës së Gostivarit Valbon Limani.

WUF12, sivjet fokusohet në lokalizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke hedhur dritë mbi veprimet dhe iniciativat lokale të nevojshme për të frenuar sfidat aktuale globale që ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve, duke përfshirë strehimin e papërballueshëm, rritjen e kostove të jetesës, ndryshimet klimatike, mungesën e shërbimeve bazë dhe konfliktet e vazhdueshme.