Komunat, në suaza të ligjit, në përputhje me parimin e subsidiaritetit, kanë të drejtë në territorin e vet t’i kryejnë punët e interesit publik me rëndësi lokale, që nuk janë të përjashtuara nga kompetencat e tyre ose nuk janë në kompetencë të organeve të pushtetit shtetëror.
Komunat në mënyrë të pavarur, në suaza të ligjit, i rregullojnë dhe kryejnë punët e interesit publik me rëndësi lokale, të përcaktuara me ligj dhe janë përgjegjëse për kryerjen e tyre.
Me ligjin me të cilin rregullohen kompetencat e tjera të komunave caktohen edhe burimet financiare për kryerjen e atyre kompetencave.
Kompetencat janë të plota dhe të pakontestueshme dhe nuk guxojnë të merren ose kufizohen, përveç në raste të përcaktuara me ligj.
Komunat janë kompetente për kryerjen e punëve vijuese:
1. Planifikimi urbanistik (urban dhe rural), dhënia e lejes për ndërtim të objekteve me rëndësi lokale të përcaktuara me ligj, rregullimi i hapësirës dhe rregullimi i tokës ndërtimore.
2. Mbrojtja e mjedisit jetësor dhe natyrës – masa për mbrojtje dhe pengimin nga ndotja e ujit, ajrit, tokës, mbrojtja e natyrës, mbrojtja nga zhurmimi dhe rrezatimi jonizues.
3. Zhvillimi ekonomik lokal – planifikimi i zhvillimit ekonomik lokal; përcaktimi i përparësive zhvillimore dhe strukturale, udhëheqja me politikën ekonomike; përkrahja e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe të iniciativave në nivel lokal dhe në atë kontekst pjesëmarrja në vendosjen dhe zhvillimin e rrjetit lokal të institucioneve dhe agjencive dhe promovimi i partneritetit;
4. Veprimtaritë komunale – furnizimi me ujë për pije; përcjellja e ujit teknologjik; përcjellja dhe pastrimi i ujërave të ndotura; ndriçimi publik; dërgimi dhe trajtimi i ujërave atmosferik; mirëmbajtja e higjienës publike; grumbullimi, transportimi dhe procedimi me mbeturinat e ngurta komunale; rregullimi dhe organizimi i trafikut publik lokal të udhëtarëve; furnizimi me gaz natyror dhe energji ngrohëse; mirëmbajtja e varreve, varrezave, krematoriumeve dhe dhënia e shërbimeve mortore; ndërtimi, mirëmbajtja, rekonstruimi dhe mbrojtja e rrugëve lokale, rrugëve dhe objekteve të tjera të infrastrukturës; rregullimi i regjimit të komunikacionit; ndërtimi dhe mirëmbajtja e sinjalizimeve rrugore të komunikacionit, ndërtimi dhe mirëmbajtja e hapësirës publike të parkimit; mënjanimi i automjeteve të parkuara gabimisht; mënjanimi i automjeteve të dëmtuara nga sipërfaqet publike; ndërtimi dhe mirëmbajtja e tregjeve; pastrimi i oxhaqeve; mirëmbajtja dhe shfrytëzimi i parqeve, gjelbërimit, park – pyjeve dhe sipërfaqeve rekreative; rregullimi, mirëmbajtja dhe shfrytëzimi i shtratit të lumenjve në pjesët e urbanizuara; përcaktimi i emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera të infrastrukturës.
5. Kultura – përkrahja institucionale dhe financiare të enteve dhe projekteve kulturore; kultivimi i folklorit, zakoneve, artizanateve të vjetra dhe vlerave të ngjashme kulturore; organizimi i manifestimeve kulturore; nxitja e formave të llojllojshme specifike të krijimtarisë.
6. Sporti dhe rekreacioni – zhvillimi i sportit masiv dhe i aktiviteteve rekreative; organizimi i shfaqjeve dhe manifestimeve sportive; mirëmbajtja dhe ndërtimi i objekteve për sport; përkrahja lidhjeve sportive;
7. Mbrojtja sociale dhe mbrojtja e fëmijëve – çerdhe për fëmijë dhe shtëpi të pleqve (pronësi, financim, investime dhe mirëmbajtje); realizimi i përkujdesjes sociale për persona invalidë; fëmijëve pa prindër dhe përkujdesje prindërore; fëmijëve me probleme edukativo-sociale; fëmijëve me nevoja të veçanta; fëmijëve nga familjet njëprindërore; fëmijëve në rrugë; personave të ekspozuar rrezikut social; personave të prekur nga keqpërdorimi i drogës dhe alkoolit; ngritja e vetëdijes së popullatës; strehimi i personave të rrezikuar social; realizimi i së drejtës dhe edukimi i fëmijëve të moshës parashkollore. Kryerja e këtyre kompetencave është në pajtueshmëri me Programin Nacional për zhvillim të mbrojtjes sociale;
8. Arsimi – themelimi, financimi dhe administrimi i shkollave fillore dhe të mesme, në bashkëpunim me pushtetin qendror, në pajtueshmëri me ligjin, organizimi i transportit dhe ushqimit të nxënësve dhe vendosjen e tyre në konvikte nxënësish;
9. Mbrojtja shëndetësore – të drejtuarit me rrjetin e organizatave publike shëndetësore dhe me objektet nga mbrojtja shëndetësore primare të cilët duhet ta përfshijnë përfaqësimin e vetëqeverisjes lokale në të gjitha këshillat të të gjitha organizatave në pronësi publike, edukata shëndetësore; përparimi i shëndetit; aktivitete preventive; mbrojtja e shëndetit të punëtorëve dhe mbrojtja gjatë punës; mbikëqyrja shëndetësore mbi mjedisin jetësor; mbikëqyrja mbi sëmundjet ngjitëse; ndihmë pacientëve me nevoja speciale (për shembull, shëndeti mental, keqpërdorimi i fëmijëve etj.) dhe lëmenj të tjerë që do të përcaktohen me ligj;
10. Zbatimi i përgatitjeve dhe ndërmarrja e masave për mbrojtjen dhe shpëtimin e qytetarëve dhe të mirave materiale nga shkatërrimet e luftës, nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera dhe nga pasojat e shkaktuara nga to.
11. Mbrojtja kundër zjarrit që e kryejnë njësitë territoriale kundër zjarrit;
12. Mbikëqyrja mbi kryerjen e punëve nga kompetenca e sajë dhe
13. Punë të tjera të përcaktuara me ligj.