Komuna e Gostivarit, edhe këtë vit, për të pestin vit me radhë, i bashkohet aktiviteteve dhe angazhimeve të shumta që zhvillohen në kuadër të “Javës Evropiane të Lëvizjes”, e cila shënohet nga data 16 deri më 22 shtator në të gjitha vendet e Evropës.

Kjo javë ka për qëllim të ndërgjegjësojë qytetarët për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit jetësor, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe krijimin e kushteve më të shëndetshme për të gjithë ne. Në këtë kuadër, Komuna e Gostivarit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë këtyre ditëve të përdorin sa më pak automjetet private dhe të zgjedhin mjete alternative të transportit si: ecja në këmbë, biçikletat, transporti publik, etj.

Përdorimi i automjeteve është një nga faktorët kryesorë që ndikon negativisht në ndotjen e ajrit dhe në përkeqësimin e kushteve mjedisore. Prandaj, çdo hap i vogël që bëjmë si individë, duke zgjedhur mënyra të tjera të lëvizjes, ndihmon në uljen e ndotjes, kursimin e energjisë dhe krijimin e një qyteti më të pastër e më të gjelbër për gjeneratat e ardhshme.

Komuna e Gostivarit thekson se pjesëmarrja aktive e qytetarëve në këtë nismë është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të re të lëvizjes së qëndrueshme. Përveç aspektit mjedisor, lëvizja pa automjete kontribuon edhe në shëndetin tonë fizik e mendor, duke na ofruar më shumë gjallëri dhe një stil jetese më aktiv.

Komuna e Gostivarit fton të gjithë qytetarët, shkollat, të rinjtë, bizneset dhe institucionet që të kontribuojnë me shembullin e tyre dhe të bëhen pjesë aktive e “Javës Evropiane të Lëvizjes”, sepse vetëm së bashku mund të ndërtojmë një qytet më të gjelbër, më të pastër dhe më të shëndetshëm.

Në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve për fëmijët dhe familjet, Komuna e Gostivarit ka vendosur një kënd të ri lojërash në oborrin e Shkollës Fillore “Liria” në fshatin Raven.

Ky investim është pjesë e një projekti më të gjerë që parasheh ndërtimin e gjithsej 16 këndeve lojërash në të gjitha vendbanimet e komunës.

Kryetari i komunës, Valbon Limani theksoi se se investimet të tilla janë dëshmi e përkushtimit të pushtetit lokal ndaj mirëqenies së fëmijëve dhe zhvillimit të një ambienti të shëndetshëm për ta.

“Në oborrin e Sh.F. “Liria” në Raven vendosëm një kënd të ri lojërash, pjesë e projektit tonë me gjithsej 16 kënde lojrash që do të vendosen në të gjitha vendbanimet e komunës. Ta gëzojnë fëmijët tanë”, shprehet Limani.

Ndryshe, projekti i këndeve të lojërave synon jo vetëm krijimin e hapësirave argëtuese dhe edukative për fëmijët, por edhe nxitjen e aktiviteteve në natyrë, zhvillimin social dhe fizik të tyre, si dhe rritjen e cilësisë së jetës në komunitet.

 

UNDP ka lançuar “Future of Work Academy”, një program online 6-javor për të rinjtë.

Në këtë program pritet të marrin pjesë 150 pjesëmarrës nga rajoni.

Të gjitha detajet janë në dokumentin bashkëngjitur dhe në këtë link: https://www.undp.org/eurasia/undps-future-work-academy.

LAJMËRIM ZYRTAR PËR SHKOLLAT
Subjekti: Informim për orarin e konkursit “Spelling Bee 2025”
Të nderuar drejtues të shkollave, mësues dhe koordinatorë,
Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim me sektorin e arsimit, ju njofton me orarin zyrtar të konkursit vjetor të drejtshkrimit në anglisht “Spelling Bee” për nxënësit e klasave V deri në IX.
Datat dhe oraret e garave:
  • 22 Prill 2025
    • Klasa V: 11:00 AM
    • Klasa VI: 12:30 PM
  • 28 Prill 2025
    • Klasa VII: 11:00 AM
    • Klasa VIII: 12:30 PM
    • Klasa IX: 2:00 PM
Vendndodhja: Qendra rinore dhe e komunitettit YCC.
Udhëzime për shkollat:
Përgatitja e nxënësve: Sigurohuni që pjesëmarrësit të jenë të informuar për rregullat e konkursit dhe orarin e saktë.

 

Shënim: Çdo shkollë është përgjegjëse për organizimin e transportit dhe shoqërimin e nxënësve në vendndodhjen e konkursit.
Faleminderit për bashkëpunimin dhe përfshirjen tuaj aktive në promovimin e talentëve të rinj!
Me respekt,
Komuna e Gostivarit
Sektori i Arsimit dhe Kulturës

 

Valbon Limani ndau donacion me mjete didaktike për 2 Prill – Ditën Botërore për Autizëm

Me rastin e 2 Prillit – Ditës Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, vizitoi qendrën “Blue Puzzle”.

“Në këtë ditë të veçantë, vizituam Qendrën për Autizëm ‘Blue Puzzle’, ku patëm një bisedë të këndshme me Valonin, i cili udhëheq këtë qendër. Komuna e Gostivarit, në shenjë mbështetjeje, dhuron mjete didaktike në vlerë prej 60.000 denarësh,” u shpreh kryetari Limani.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke nënvizuar respektin, pranimin dhe përfshirjen e personave me autizëm si pjesë e pandashme e shoqërisë sonë.

Kryetari Limani vizitoi edhe Klasën Speciale për fëmijët me nevoja të veçanta në shkollën “Ismail Qemali”, ku edhe vetë shkolla organizoi aktivitete për të shënuar Ditën Botërore të Autizmit.

 

Komuna e Gostivarit dhe Komuna e Gjilanit lidhën marrëveshje për zbatimin e përbashkët të një projekti nga programi IPA 3
Kryetari i Komunës së Gostivarit Valbon Limani dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, zhvilluan sot një takim të rëndësishëm për të forcuar bashkëpunimin ndërkufitar në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Në këtë takim, dy palët arritën marrëveshje për zbatimin e përbashkët të një projekti të financuar nga programi IPA 3, i cili synon përmirësimin e qëndrueshmërisë mjedisore, reduktimin e ndikimit të ndryshimeve klimatike dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarët e dy komunave.
Projektet kryesore të kësaj nisme përfshin zhvillimin e infrastrukturës së gjelbër dhe miqësore me mjedisin – Komuna e Gostivarit do të nisë një tranzicion nga sistemet tradicionale të ngrohjes me lëndë djegëse fosile drejt përdorimit të pompave të nxehtësisë, duke reduktuar ndotjen e ajrit. Ndërkohë, në Komunën e Gjilanit do të krijohen hapësira të gjelbra urbane për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe jetesës.
Kryetari Limani theksoi se kjo marrëveshje, apo ky bashkëpunim është hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qendrueshëm dhe bashkëpunimit rajonal.
“Ky projekt është një dëshmi e përkushtimit tonë për një të ardhme më të pastër dhe më të shëndetshme për qytetarët tanë. Bashkëpunimi me Gjilanin do të sjellë ndryshime reale në cilësinë e jetës dhe do të vendosë një model të suksesshëm për bashkëpunimin ndërkufitar,” u shpreh Limani.
Nga ana e tij, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, theksoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta për ruajtjen e mjedisit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
“Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt një mjedisi më të shëndetshëm për të gjithë ne. Jemi të përkushtuar që, përmes këtij bashkëpunimi, të krijojmë kushte më të mira për qytetarët tanë dhe të kontribuojmë në ndërtimin e një komuniteti më të qëndrueshëm,” tha Hyseni.
Projekti i përbashkët Gostivar-Gjilan është një iniciativë e rëndësishme brenda programit IPA 3, duke reflektuar vizionin e dy komunave për një të ardhme më të gjelbër dhe të qëndrueshme për rajonin ndërkufitar. Zbatimi i tij pritet të nisë në muajt e ardhshëm, me përfitime të drejtpërdrejta për komunitetet lokale.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, bashkë me ministrin për Çështje Sociale, Fatmir Limani, sot bashkërisht ndanë 10 vendime pune për punonjëset e çerdheve. Po ashtu, u promovuan edhe hapësirat e reja shtesë me dy paralele për akomodimin e 60 fëmijëve.

Kryetari Valbon Limani, bashkë me ministrin Fatmir Limani, biseduan edhe për çerdhen e re që do të ndërtohet në Gostivar me kapacitet prej 100-120 fëmijë, kurse procedura për ndërtimin e së cilës është në vijim e sipër.

“Me ministrin Limani diskutuam edhe projektet vijuese, siç janë dy klasat shtesë të cilat kanë kaluar dhe janë në përgatitje e sipër, dhe me të cilat do të rriten kapacitetet për 60 fëmijë, si dhe aplikimi i cili vijon për një çerdhe të re me kapacitet prej 100-120 fëmijësh. Me këtë, besoj se nuk do të ketë më lista të pritjeve për në çerdhe në Komunën e Gostivarit”, u shpreh kryetari Limani.

Në këtë ngjarje u vizitua edhe Qendra “Blue Puzzle” dhe Qendra ditore për persona me nevoja të veçanta, ku u ndanë mjete didaktike.

Komuna e Gostivarit pritet të sigurojë edhe 40 projekte nga Qeveria, Limani pret në takim Mexhitin

Sot kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani priti në takim zëvendëskryeministrin e parë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhitin.

Në takim u diskutua për projektet që janë ndarë për Komunën e Gostivarit nga Qeveria si dhe për projektet që janë ndarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, siç është ndarja e mjeteve për Komunën e Gostivarit për ndërtimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik për Bllokun urban 21 me 87 milionë denarë si dhe sigurimi i fondeve nga Banka Evropiane e Investimeve për realizimin e projektet të rezervoarit në fshatin Çegran me vlerë 30 milionë denarë dhe linja e re e ujësjellësit nga Forina në Çegran me vlerë 28 milionë denarë, si dhe kanalizimi në këtë fshat.

Poashtu me mbështetje nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim, sigurohen mjete që Gostivari të bëjë selektimin e mbetjeve nga amvistëritë, i cili përfshinë kanta, kontenjerë dhe kamionë për bartjen e mbeturinave.

Nga Programi për shfrytëzimin e mjeteve për dotacione kapitale për njësitë e vetëqeverisjes lokale për projektet infrastrukturore për vitin 2024 nga Qeveria, Gostivarit i janë ndarë mjete prej më shumë se 161 milionë denarë për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Poashtu, në thirrjen e dytë qeveritare të këtij viti, Komunës së Gostivarit pritet t’i pranohen edhe 40 projekte infrastrukturore, krahas 13 projekteve që u pranuan dhe pritet të fillojnë në periudhën në vijim.

Sektori për Urbanizëm, Planifikim dhe Rregullim Hapësinor pranë Komunës së Gostivarit ka publikuar raportin vjetor për vitin 2024, duke vënë theks të veçantë tek transparenca.
Sipas raportit, sektori ka arritur një sërë suksesesh në drejtim të zhvillimit urban dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët.
Ndër arritjet kryesore të këtij viti janë:

  • 168 leje për ndërtim dhe aktvendime – Ndër to, 71 leje për objekte për banim individual, 23 për banim kolektiv dhe 20 për projekte infrastrukturore, duke e renditur Komunën e Gostivarit si një nga komunat më aktive në nivel vendi.
  • 84 procedura për plane urbanistike të miratuara – Për herë të parë është miratuar Plani Detal Urbanistik për Bllokun 15. Po ashtu, janë miratuar plane për pjesë të Bllokut 20, ku parashihet ndërtimi i një kopshti për fëmijë, dhe për Bllokun 4-4a.
  • Shërbime elektronike – Janë zbatuar me sukses shërbime elektronike për të gjitha procedurat, duke lehtësuar komunikimin dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
  • Dëgjesa publike – Janë organizuar dëgjesa publike për të marrë sugjerime dhe rekomandime nga qytetarët mbi projektet urbane.
  • Llogaridhënia dhe transparenca – Çdo gjashtë muaj është publikuar raporti mbi të dhënat dhe progresin, duke vendosur një standard të ri në punë.
    Komuna e Gostivarit mbetet e përkushtuar në rritjen e transparencës dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët.


Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani sot ishte për vizitë te Reparti Gjinekologjik në Spitalin e Përgjithshëm të “Ferid Murat” në Gostivar për ta për uruar foshnjën e parë që lindi në vitin 2025 në Gostivar.

Foshnja, një vajzë e shëndetshme që peshon 3.5 kg, erdhi në jetë në orën 12:40 dhe gëzon gjendje të mirë shëndetësore.

“Sot përurojmë foshnjën e parë të lindur në Gostivar me gjest modest me një vauçer prej 30.000 denarë për fëmijën e parë në Gostivar. Foshnja sivjet është vajzë dhe shpresoj se ky vit do të jetë i mirë dhe do të kemi sa më shumë foshnja të lindura”, u shpreh Limani.