Komuna e Gostivarit: Ftesë për qytetarët me rastin e “Javës Evropiane të Lëvizjes” (16-22 shtator)
Komuna e Gostivarit, edhe këtë vit, për të pestin vit me radhë, i bashkohet aktiviteteve dhe angazhimeve të shumta që zhvillohen në kuadër të “Javës Evropiane të Lëvizjes”, e cila shënohet nga data 16 deri më 22 shtator në të gjitha vendet e Evropës.
Kjo javë ka për qëllim të ndërgjegjësojë qytetarët për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit jetësor, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe krijimin e kushteve më të shëndetshme për të gjithë ne. Në këtë kuadër, Komuna e Gostivarit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që gjatë këtyre ditëve të përdorin sa më pak automjetet private dhe të zgjedhin mjete alternative të transportit si: ecja në këmbë, biçikletat, transporti publik, etj.
Përdorimi i automjeteve është një nga faktorët kryesorë që ndikon negativisht në ndotjen e ajrit dhe në përkeqësimin e kushteve mjedisore. Prandaj, çdo hap i vogël që bëjmë si individë, duke zgjedhur mënyra të tjera të lëvizjes, ndihmon në uljen e ndotjes, kursimin e energjisë dhe krijimin e një qyteti më të pastër e më të gjelbër për gjeneratat e ardhshme.
Komuna e Gostivarit thekson se pjesëmarrja aktive e qytetarëve në këtë nismë është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një kulture të re të lëvizjes së qëndrueshme. Përveç aspektit mjedisor, lëvizja pa automjete kontribuon edhe në shëndetin tonë fizik e mendor, duke na ofruar më shumë gjallëri dhe një stil jetese më aktiv.
Komuna e Gostivarit fton të gjithë qytetarët, shkollat, të rinjtë, bizneset dhe institucionet që të kontribuojnë me shembullin e tyre dhe të bëhen pjesë aktive e “Javës Evropiane të Lëvizjes”, sepse vetëm së bashku mund të ndërtojmë një qytet më të gjelbër, më të pastër dhe më të shëndetshëm.