Për çdo kërkesë, jemi në shërbimin tuaj!

+389 (0) 42 214 600

Për çdo kërkesë, jemi në shërbimin tuaj!

+389 (0) 42 214 600

20/11/2026

Komuna e Gostivarit organizoi aktivitet edukativ për nder të Festës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Festës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë – Gostivar, organizoi shfaqjen e filmit dokumentar edukativ „Shkronjat e Pavarësisë“, kushtuar nxënësve të shkollave fillore.

Ky aktivitet kishte për qëllim njohjen e gjeneratave të reja me historinë e alfabetit të gjuhës shqipe, rëndësinë e tij në ruajtjen e identitetit kombëtar, si dhe kultivimin e dashurisë dhe respektit për gjuhën dhe trashëgiminë tonë kulturore.

Aktiviteti u ndoq nga afër nga udhëheqësja e Sektorit për Arsim pranë Komunës së Gostivarit, Blerina Selmani, e shoqëruar nga drejtori i Qendrës për Kulturë – Gostivar, Ismet Ismali.

Me këtë rast, Selmani theksoi rëndësinë e aktiviteteve edukative dhe kulturore që kontribuojnë në përcjelljen e vlerave kombëtare te brezat e rinj.

Me këtë rast Selmani fton të gjithë qytetarët që të bëhen pjesë e manifestimit madhështor me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, i cili do të mbahet më 26 nëntor 2026, në sheshin e qytetit të Gostivarit, duke filluar nga ora 13:00.

Ky manifestim synon të bashkojë qytetarët në një atmosferë festive, për të shënuar së bashku një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, me krenari, dinjitet dhe respekt për flamurin dhe vlerat tona kombëtare.

Komuna e Gostivarit u bën thirrje të gjitha familjeve, të rinjve dhe qytetarëve, pa dallim, që të marrin pjesë në këtë festë të përbashkët dhe të kontribuojnë në krijimin e një atmosfere madhështore festive.

Ju mirëpresim më 26 nëntor, në sheshin e Gostivarit, për ta festuar së bashku 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit!

Gëzuar Festa e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!

Shpërndaje lajmin:

Kopjo Linkun