18/11/2026
Përfundon rikonstruktimi i rrugës „Ilija Anteski Smok“, vazhdojnë punimet në bulevardin „Vëllezërit Gjinovski“

Ka përfunduar rikonstruktimi i rrugës „Ilija Anteski Smok“ në Gostivar, në një gjatësi prej mbi 200 metrash, në segmentin nga ura e rrugës „Beliçica“ deri te ura e trenit. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, të shoqëruar me video nga përfundimi i punimeve.
Ky segment rrugor, në të cilin ndodhen edhe disa ndërtesa kolektive banimi, ka rëndësi për një numër të madh banorësh, të cilët tashmë do të kenë infrastrukturë më të mirë dhe kushte më të lehta për qarkullim.
Ndërkohë, punimet infrastrukturore po vazhdojnë edhe në bulevardin „Vëllezërit Gjinovski“, në aksin nga rrethrrotullimi pranë Qendrës për Kulturë deri te kryqëzimi me rrugën e Dibrës. Në këtë pjesë të qytetit, përveç ndërhyrjeve infrastrukturore, po ndërtohet edhe një rrethrrotullim i ri, me qëllim përmirësimin e qarkullimit dhe rritjen e sigurisë në trafik.


Punimet në këtë bulevard kanë nisur vitin e kaluar dhe po realizohen në disa faza, duke filluar nga lagjja Maleardi. Faza përfundimtare e projektit parasheh ndërtimin e një ure të re, si dhe zgjerimin e bulevardit deri te objekti i Gjykatës.
Për shkak të punimeve në terren, në segmentin ku po zhvillohen ndërhyrjet aktualisht do të ketë kufizime në qarkullimin e automjeteve. Komuna e Gostivarit apelon te pjesëmarrësit në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e vendosura në terren, si dhe të shfrytëzojnë rrugët alternative aty ku është e mundur.
Nga Komuna kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve deri në përfundimin e punimeve.

Shpërndaje lajmin:
LAJMET
Lajmet më të Reja
Shfletoni lajmet më të fundit dhe qëndroni të informuar me ngjarjet, njoftimet dhe informacionet e rëndësishme.

18/11/2026
Raporti javor nga testi laboratorik i ujit

13/11/2026
Këshilli Komunal i Gostivarit miratoi njëzëri Rebalancin e Dytë të Buxhetit për vitin 2026
