Përfaqësuesit e Komunës së Gostivarit marrin pjesë në Forumin e dytë ndërkombëtar “AGRICITIES”

Një delegacion i Komunës së Gostivarit i kryesuar nga zëvendës kryetari i komunës, Namik Durmishi dhe bashkëpunëtori për marrëdhënie dhe bashkëpunim me Republikën e Turqisë, Gzim Haxhi-Ejup, morën pjesë në Forumin e dytë ndërkombëtar “AGRICITIES”, përkrahur nga UNESCO.

Në forumin që u mbajt në Samsun të Turqisë u diskutua për më shumë tema, me theks të veçantë sektori i bujqësisë, ushqimit dhe menaxhimit me ujërat.

Krahas vendeve evropiane, në forum morën pjesë edhe vende nga Azia dhe Afrika, dhe kjo është hera e dytë që Komuna e Gostivarit merr pjesë në këtë bashkësi botërore për përkrahjen e bujqësisë në nivel lokal.

Përfaqësuesit e Komunës së Gostivarit gjatë vizitës së tyre në Turqi, u takuan me kryetarin e Samsunit, Mustafa Demir dhe me kryetarin e Bashkësisë Botërore të “AGRICITIES”, Ugur Ibrahim Altay, ku u bisedua për realizimin e projekteve të përbashkëta mes dy komunave.