Kryetari Taravari me bashkëpunëtorët iu bashkëngjit aksionit për pastrimin vullnetar të borës

13.01.2019

Spitali dhe objektet fetare, ishin pikat në të cilat u realizua sot aksioni vullnetar për pastrimin e borës të cilit iu bashkëngjit kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe drejtorët e ndërmarrjeve me bashkëpunëtorët e tyre.

Në realizimin e këtij aksioni u kyç edhe operatori ekonomik për mirëmbajtje dimërore Nasir Turs, ndërsa asistoi edhe policia.

“Një grup i të rinjve të Aleancës për Shqiptarët ngriti iniciativë për realizimin një aksioni të këtillë të cilit me shumë vullnet iu bashkëngjita edhe unë me bashkëpunëtorët e mi. Krahas asaj që japin një kontribut simbolik, dërgojmë edhe një mesazh të fuqishëm deri te qytetarët që të pastrojnë mjediset para shtëpive apo dyqaneve të tyre. Patjetër ta them se jam shumë i kënaqur me kontributin e shumicës së qytetarëve në këtë drejtim, por gjithmonë mund të bëhet edhe më shumë, si nga institucionet, ashtu edhe nga qytetarët”, theksoi Taravari.

Ai bëri me dije se për këtë periudhë është shumë i kënaqur nga bashkëpunimi me policinë dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tutje.

“Sa i përket menaxhimit me situatën, me shumë kënaqësi njoftoj se Komuna e Gostivarit është vlerësuar me notën 5 nga ana e policisë, në një shkallë notimi prej 1 deri në 5. Nëse dalin parashikimet e sinoptikëve se do të kemi sërish reshje bore, do të intensifikojmë aktivitetet dhe sipas nevojës edhe do ta bartim borën, për çka do të nevojitet edhe një disiplinë e shtuar nga qytetarët që t’i heqin automjetet e lëna në rrugë apo parkingje publike”, nënvizoi kryetari i komunës.

Vullnetarët në aksionin e sotëm, me kazma dhe lopata thyen akullin dhe mënjanuan borën në sipërfaqet rreth Xhamisë së Sahatit, Kishës Shën Mëria, parkingun e Spitalit dhe shtigjet e këmbësorëve brenda këtij institucioni shëndetësor . Në vende të caktuara u hodh edhe kripë.

Shërbimi për informim