Sanohen rrugët kryesore të qytetit në Gostivar

10.05.2019

Komuna e Gostivarit ka filluar me sanimin e rrugëve kryesore të qytetit.

Fillimisht bëhet arnimi i gropave goditëse në rrugën Ilindenska dhe një segment i rrugës “Zhivko Brajkoski”, ndërsa në vijim do të intervenohet edhe në rrugë tjera ku do intervenimi është i domosdoshëm.

– Nga këqyrja në terren konstatuam se prej rrugëve kryesore të qytetit, rruga Ilindenska në pjesën prej te ish Mulliri e deri në dalje të qytetit, si dhe krahu deri te kalimi i hekurudhës, asfalti është mjaft i dëmtuar dhe ka shumë gropa goditëse. Prandaj punimet i filluam pikërisht në këto pjesë. Pas sanimit të këtyre segmenteve rrugore, do të vazhdojmë me sanimin edhe të rrugëve tjera të qytetit ku do të vlerësojmë se intervenimi është i domosdoshëm”, thekson Besim Dogani, përgjegjës i Zyrës për Zhvillim ekonomik lokal dhe implementim të projekteve pranë Komunës së Gostivarit.

Nga zyra e ZHEL-it informojnë se në vijim janë edhe punët ndërtimore për asfaltimin e një rruge në lagjen Karagaç, në gjatësi prej 365 metrash dhe me gjerësi prej 5 metrash. Në periudhën në vijim do të realizohen edhe projekte tjera infrastrukturore në kuadër të Programit zhvillimor të Komunës së Gostivarit për vitin 2019, realizimi i të cilave ka ngecur shkaku i pamundësisë për shpallje të tenderëve gjatë periudhës zgjedhore.

Shërbimi për informim