Këshilli rinor dhe nxënësit e mjekësisë, shënuan Ditën e shëndetësisë
06.04.2018
Këshilli Rinor i komunës së Gostivarit, me rastin e 7 Prillit – Ditës ndërkombëtare të shëndetësisë, në sheshin e qytetit, organizoi sot kontrolle dhe konsultime falas për shëndetin.
Bartës i aktivitetit ishte Departamenti i shëndetësisë pranë Këshillit Rinor, ndërsa aktiviteti u realizua në bashkëpunim me nxënësit e Shkollës së mesme të mjekësisë dhe me përkrahje të Komunës së Gostivarit.
“Me rastin e Ditës së shëndetësisë, e organizojmë këtë aktivitet ku ofrojmë matjen e shtypjes së gjakut dhe nivelit të glukozës në gjak, si dhe ofrojmë këshilla mjekësore falas për kalimtarët e rastit. E gjithë kjo bëhet me qëllim të ndërgjegjësimit të popullatës për kontrolle të rregullta dhe për të reaguar në mënyrë preventive për çrregullimet në shëndet”, sqaroi Miran Ismaili udhëheqës i Departamentit për shëndetësi pranë Këshillit rinor të komunës së Gostivarit.
Për të promovuar të ushqyerit dhe mënyrën e shëndetshme të të jetuarit, organizatorët me duhanpirësit shkëmbenin cigare për mollë.
Shërbimi për informim