Banorët e fshatit Llakavicë do të pinë ujë më të pastër, ka filluar ndërtimi i linjës së re të ujësjellësit

14.10.2018

Ka filluar sot ndërtimi i linjës së re të ujësjellësit në fshatin Llakavicë. Për shkak të vjetërsisë së gypave, deri më tani cilësia e ujit të pijshëm në këtë fshat ishte më e ulët, por edhe e dëmshme për shëndetin shkaku asaj se gypat ekzistues janë prej azbesti, ndërsa gypat e reja do të jenë prej polietileni.

Ishte ky një nga premtimet e kryetarit Arben Taravari, të cilin Komuna e Gostivarit nëpërmjet Ndërmarrjes Publike “Komunalec” e kthen në realitet.

“Jemi duke e rehabilituar kaptazhin ekzistues, si dhe kemi filluar me hapjen e kanalit për vendosjen e tubacionit të ujësjellësit. Kjo ndërhyrje ishte mëse e nevojshme shkaku i vjetërsisë së tubacionit ekzistues. Do të punojmë intensivisht që punimet t’i kryejmë për një kohë sa më të shkurtër dhe banorët e fshatit Llakavicë të pinë ujë më cilësor”, thotë drejtori i NP “Komunalec”,
Isak Lazami dhe shton se aktivitetet e ndërmarrjes me të cilën udhëheq ai, do të intensifikohen akoma më shumë si për ndërtim të ujësjellësit ashtu edhe për ndërtim të kanalizimit.
Banorët e fshatit Llakavicë shprehen shumë mirënjohës ndaj Komunës së Gostivarit dhe ndërmarrjeve komunale themelues i të cilave është ajo, për realizimin e projekteve të ndryshme në fshatin e tyre si dhe mbështetjen e aktiviteteve të ndryshme që i ndërmarrin banorët lokalë.

“Në emër të banorëve të fshatit Llakavicë, falënderojmë kryetarin Taravari, Komunën e Gostivarit dhe ndërmarrjet publike, që janë duke realizuar projekte me rëndësi jetike për fshatin Llakavicë, si dhe për mbështetjen e pa rezervë të të gjitha aktiviteteve që po ndërmarrin banorët nëpërmjet Bashkësisë lokale”, thotë Azir Sulejmani – kryetar i BL të fshatit Llakavicë.

Ndër projektet e realizuara në fshatin Llakavicë gjatë këtij mandati, vlen të theksohet riasfaltimi i rrugës në hyrje të fshatit në gjatësi prej 230 metra, e cila u inaugurua në ditën e Kurban Bajramit,
më 23 gusht të këtij viti.

Shërbimi për informim