Mbajti mbledhje Shtabi i emergjencave – rajoni i Gostivarit ka vetëm pesë raste aktive me Covid 19

Në rajonin e Gostivarit, gjegjësisht në komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë-Rostushë nga 260 të testuar janë 5 raste aktive me Covid-19. Prej rasteve aktive, 1 person është nga komuna e Gostivarit dhe nga 2 personа nga komuna e Vrapçishtit dhe е Mavrovë-Rostushës.

Këto të dhëna i bëri publike sot kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari në mbledhjen  e 16-të të rregullt të Shtabit ndërkomunal të emergjencës, duke e vlerësuar situatën me Covid 19 si shumë stabile.

Në cilësinë e kryetarit të Shtabit ndërkomunal, Taravari tha se do t’i propozojë Shtabit qendror që të lehtësohen masat restriktive, respektivisht ora policore të fillojë në ora 23, si dhe fillimin me punë të terracave të kafeterive dhe restoranteve.

“Kemi situatë stabile me vetëm pesë raste aktive, megjithatë qytetarët duhet të vazhdojnë me respektimin e rekomandimeve të institucioneve kompetente. Deri te shtabi Qendror i krizave do të propozojmë shkurtim të orës policore dhe ajo të fillon nga ora 23 dhe të zgjasë deri në ora 5 të mëngjesit dhe të mundësohet hapja e terracave të kafeterive dhe restoranteve”, theskoi kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

Kryetari Taravari sqaroi se nga dita e sotme fillon skriningu në çerdhe për çka uroi që gjatë testimit, asnjë punonjësi nga ky institucion të mos del pozitiv me Covid 19, dhe paralelisht kërkoi të fillon edhe testimi apo skriningu në institucionet shëndetësore.

Përfaqësuesit e të gjitha institucioneve, raportuan se gjendja është stabile dhe se gjithçka menaxhohet me sukses, ndërsa konstatim i përbashkët ishte se ashtu si do të lehtësohen masat restriktive, ashtu duhet të rritet kujdesi dhe vetëdija e qytetarëve që mos na kthehet sërish pandemia.

Shtabi i emergjencave vendosi që mbledhjet e radhës të mbahen sipas nevojës.

Shërbimi për informim