Gjendja me Covid-19 në Gostivar mjaft serioze, apel deri te institucionet qendrore për qasje më aktive në Shtabin e emergjencës

11.08.2020

Në mbledhjen e sotme të rregullt të Shtabit ndërkomunal të emergjencës – Gostivar, të cilën e drejtoi Valbon Limani – shefi i kabinetit të kryetarit Arben Taravari, u konstatua se gjendja me Covid-19 në rajonin e Gostivarit është mjaft serioze.

“Raste aktive janë gjithsej 261, në Gostivar 214, në Vrapçisht 42 dhe 5 në Mavrovë-Rostushë. Prej tyre 241 janë në kurim shtëpiak dhe 20 të hospitalizuar. Numri i të shëruarve është 283, ndërsa gjithsej janë bërë 1954 testime. Numri i atyre të cilët kanë ndërruar jetë është 28”, theksoi Limani.

Ai bëri vërejtje se në mbledhjet e fundit nuk marrin pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore, duke bërë apel për pjesëmarrje aktive të tyre si dhe respektim rigoroz të rekomandimeve dhe protokolleve nga ana e qytetarëve për mbrojtje efikase nga pandemia me Covid-19.

Mbledhja e radhës, u konvokua për më 18 gusht në ora 11:00.

Shërbimi për informim