Ushtruesi i Detyrës Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë në Shkup, Otto Graf, takoi Taravarin

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, priti në takim në Komunën e Gostivarit Ushtruesin e Detyrës Ambasador i Gjermanisë në Shkup, z. Otto Graf.

Në takim është diskutuar për rëndësinë e investimeve të huaja në Gostivar, si dhe për rritjen e tyre në vazhdimësi.

“Theksova bashkëpunimin e çmuar lidhur me projektet në Gostivar nga ana e Ambasadës së Gjermanisë deri më tani dhe e falënderova ambasadorin për interesimin e treguar për të zhvilluar nisma të reja. E njoftova z. Graf edhe me projektet prioritare për Gostivarin që duhet të realizohen në periudhën e ardhshme dhe me ato që deri më tani i kemi përmbushur, sidomos nëpër shkolla dhe në fushën e sportit”, theksoi kryetari Arben Taravari.

Gjithashtu, në takim është folur edhe për situatën politike, gjegjësisht për ndryshimet e domosdoshme kushtetuese me të cilat do të hapet rruga evropiane për vendin tonë. Në këtë drejtim kryetari i komunës së Gostivarit, ka siguruar ambasadorin gjerman se mbështet çdo përpjekje dhe nismë që ka të bëjë me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.