Komuna e Gostivarit në takim me firmat projektuese të Gostivarit, diskutohen planet detale urbanistike

Komuna e Gostivarit gjatë ditës së sotme organizoi takim me udhëheqësit e Sektorit të Urbanizmit dhe firmave projektuese në qytetin e Gostivarit.
Në takim u diskutua për mbarëvajtjen e punës dhe funksionimin sa më të mirë mes tyre, pasi firmat projektuese janë ura lidhëse në mes qytetarit dhe Komunës, si dhe për Planin Gjeneral Urbanistik (PGJU) që është në procedurë të përpunimit.
Po ashtu, u diskutua edhe për Planet e Detajuara Urbanistike (PDU) që janë miratuar nga fillimi i vitit 2023, dhe planet e detajuara që janë në procedurë dhe pritet të mriatohen brenda këtij viti.
Në takim u theksuan edhe lejet e lëshuara për ndërtim nga ana e Komunës së Gostivarit, ku u bë me dije se nga 1 janari i këtij viti deri më tani, Komuna e Gostivarit ka lëshuar 36 leje për ndërtim, që e bën ndër komunat me numër më të madh të lejeve të lëshuara në vend.
Takime të këtilla, Komuna e Gostivarit organizon çdo tre muaj me qëllim që të vazhdojë bashkëpunimi mes palëve.