U mbajt Gara ndërkombëtare në paraglajding “Mavorovo Open” – 2018, u mbështet edhe nga Komuna e Gostivarit

30.04.2018

Fundjavën që lamë pas, 28 dhe 29 prill, u mbajt Gara ndërkombëtare në Paraglajding – ulje precize “Mavorovo Open” – 2018, në organizim të Klubit Fluturues “Kondor” – Gostivar, me mbështetje edhe të Komunës së Gostivarit.

Ceremonia e hapjes solemne u mbajt të shtunën në ora 10 në Stadiumin sportiv të Mavrovës, ku fjalë përshëndetëse mbajti edhe zëdhënësi i komunës së Gostivarit, Jasin Demiri.

Në garë morën pjesë pilotë me flatra prej 6 shteteve, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Turqi, Serbi, Bullgari dhe Rumani.

Në ceremoninë e shpalljes së fituesve që u mbajt të dielën në ora 15, mori pjesë kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.

“Përgëzoj klubin Kondor nga Gostivari, e sidomos kryetarin e klubit Mentor Saiti për këtë organizim të shkëlqyer. Përgëzoj fituesit, por edhe të gjithë nga vendet e ndryshme të Ballkanit dhe shpresoj se janë kënaqur me peizazhin e bukur që ofron Mavrova dhe mikpritja e ngrohtë gostivarase. Komuna e Gostivarit gjithmonë do të vihet në dispozicion të të gjitha aktiviteteve rekreativo-sportive si një sferë shumë e rëndësishme e jetës së të rinjve dhe qytetarëve në përgjithësi”, theksoi mes tjerash kryetari Taravari.

Gara ndërkombëtare në Paraglajding “Mavorovo Open” – 2018 është pjesë e kalendarit të Federatës Ndërkombëtare të Aviacionit (FAI) ndërsa u realizua me mbështetje të Federatës së Aviacaniot të Maqedonisë.

Shërbimi për informim