Ambasadori sllovak Henrik Markush vizitoi Komunën e Gostivarit, u takua me kryetarin e komunës Arben Taravari dhe kryetarin e ASH-së, Ziadin Sela

07.06.2018

Ambasadori i Sllovakisë në Shkup, Henrik Mrkush vizitoi sot komunën e Gostivarit me ç’rast u takua me kryetarin e komunës së Gostivarit, Arben Taravari. Në takim të pranishëm ishin edhe ish ambasadori sllovak në Shkup, aktualisht drejtor i misionit të OSBE-së në Bratisllavë , Robert Krinak, si dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.

Në takim u bisedua për gjendjen aktuale në komunë dhe në shtet, si dhe për raportet e pushtetit qendror me pushtetin lokal në Gostivar.

“Patëm një bisedë konstruktive, mjaft të frytshme. Normalisht ne i kemi miq të gjithë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe janë gjithmonë të mirëseardhur në qytetin tonë”, theksoi në konferencën për shtyp kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari.

Ai po ashtu ua sqaroi gazetarëve se cila ishte arsyeja që në këtë takim të jetë i pranishëm edhe kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela.

“Ishte marrëveshje dypalëshe, ndërmjet nesh dhe Ambasadës Sllovake, që në takim të merr pjesë edhe kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, zoti Ziadin Sela, për të bërë një analizë për punën e qeverisë dhe raporteve ndërmjet pozitës dhe opozitës. E shihni se qeveria ka një sjellje jokorrekte ndaj pushtetit lokal në Gostivar, por nga se tani janë aktuale çështja e emrit dhe integrimi i vendit në NATO, kjo e vë nën hije problemin. Mirëpo të gjithë diplomatët dhe miqtë tanë janë të njoftuar me atë se çka po ndodh në komunën e Gostivarit si një prej komunave kryesore në vend”, sqaroi Taravari.

Deklaratë pas takimit dha edhe ambasadori sllovak Henrik Markush, i cili potencoi se kjo është vizita e tij e parë pas emërimit në këtë funksion në muajin shkurt të këtij viti

“Më vjen keq që s’kam mundur të vij më herët, por jam shumë i lumtur që erdha sot. Më paraqet kënaqësi të veçantë që patëm një bisedë shumë inkurajuese me kryetarin Taravari. Këtu kemi edhe përfaqësues të OSBE-së, nga se vitin e ardhshëm Sllovakia do ta merr kryesimin me këtë organizatë. Më vjen shumë mirë që këtu me ne është edhe ish ambasadori sllovak Robert Kirnak i cili bëri një emër të mirë Sllovakisë jo vetëm në Gostivar por edhe në gjithë Maqedoninë’, theksoi mes tjerash ambasadori sllovak Henrik Markush.

Shërbimi për informim