Komuna e Gostivarit iu bashkua fushatës “Çdo fëmijë ka nevojë për një familje”

26.07.2018

Gostivari iu bashkua fushatës “Çdo fëmijë ka nevojë për një familje”, e cila synon të inkurajojë qytetarët që të bëhen kujdestarë të fëmijëve pa kujdes prindëror. Në Amfiteatrin Veror u mbajt një ngjarje me program kulturor-artistik dhe u dërguan mesazhe për mbështetje të përkujdesjes së fëmijëve në një atmosferë të ngrohtë familjare.

Eventin nën moton “Mbrëmje e veçantë për fëmijë të veçantë” e organizoi Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe UNICEF-it.

“Komuna e Gostivarit do të jetë e hapur dhe gjithmonë do të mbështesë fëmijët me nevoja të veçanta. Ne e mbështesim fushatën Çdo fëmijë ka nevojë për një familje dhe do të angazhohemi që ata fëmijë të socializohen, të shoqërohen, t’i kenë të gjitha kushtet, ta jetojnë jetën njëlloj si bashkëmoshatarët e tyre”, deklaroi Aslian Snopce.

“Vetëm në një mjedis familjar, fëmija mund të ndiejë dashuri, mbështetje dhe përkushtim. Familjet kujdestare sigurojnë kujdesin më të mirë alternativ në rastet kur familja biologjike nuk është në gjendje ta ofrojë gjithë dashurinë dhe kujdesin për të cilin ka nevojë fëmija”, tha Biljana Angeleska nga Qendra për Punë Sociale në Gostivar.

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Biljana Velkovska gjithashtu theksoi se duan t’i motivojnë qytetarët që të bëhen kujdestarë, me çka pasurohet jeta e fëmijës dhe e familjes që i ofron shtëpi.

Shërbimi për informim