“Ecolog International” dhuron 100 tabletë për nxënësit e Gostivarit

Komuna e Gostivarit ka bërë sot shpërndarjen e 100 tabletë, donacion të kompanisë “Ecolog International”. Këto pajisje u dedikohen nxënësve të cilët nuk kanë pasur mundësi të ndjekin mësimin nga distanca. Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari u shpreh falenderues ndaj kompanisë për këtë iniciativë, e cila siç tha ai, është një ndihmë e madhe për nxënësit e Gostivarit.

“Humaniteti dhe kujdesi për prosperitet të shoqërisë, më së shumti vjen në shprehje në ditë të vështira. Kompania “Ecolog” në vazhdimësi ka ndihmuar nevojtarët dhe ka dhënë kontribut të madh të pamohueshëm për prosperitet të shoqërisë në më shumë sfera. Me aksionin e fundit për dhurim të tableteve që nxënësit të mund të ndjekin mësimin online, këtë e vetëm e përdëftojnë. Falënderoj nga zemra familjen Destani për dhurimin e 100 tableteve për nxënësit e Gostivarit të cilët nuk posedojnë pajisje elektronike”, deklaroi kryetari I Komunës së Gostivarit Arben Taravari.

Së bashku me donacionin nga “Ecolog International”, deri më tani në Gostivar janë shpërndarë 300 pajisje teknologjike. Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk kanë ofruar asnjë ndihmë me pajisje elektronike, edhe pse kjo ka është obligim i tyre.

Shërbimi për Informim