Situata me Covid-19 në rajonin e Gostivarit serioze, por numri i të sëmurë aktiv në rënie

18.08.2020

Në tre komunat e rajonit të Gostivarit, situata me Covid-19 vazhdon të mbetet serioze, por gëzon fakti që numri i të sëmurëve aktivë në javën e fundit shënon rënie – është konstatimi nga mbledhja e sotme e Shtabit ndërkomunal emergjent të Gostivarit.

Siç njoftoi Valbon Limani – shef i kabinetit të kryetarit të komunës së Gostivarit, Arben Taravari, numri i të infektuarve aktivë është 255 prej të cilëve 224 në komunë të Gostivarit, 29 Vrapçisht dhe 2 në Mavrovë-Rostushë. Në trajtim spitalor janë 23, ndërsa në kurim shtëpiak janë 232 persona.

Ndryshe, numri i përgjithshëm i të infektuarve deri më sot në rajonin e Gostivarit është 673 prej 2.298 personave të testuar.

Ndërmarrja publike “Parkingje dhe gjelbërime”, vazhdon me dezinfektimin e banesave kolektive në Gostivar.

Karakteristikë e kësaj mbledhje të shtabit të emergjencës ishte mos prania e përfaqësuesve të një numri të madh të institucioneve kompetente për ballafaqim me pandeminë.

Nga kjo mbledhje u bë apel deri te qytetarët dhe institucionet që në përputhje me situatën të kenë qasje më serioze dhe strikt tu përmbahen rekomandimeve për mbajtje të maskave mbrojtëse, ruajtjen e distancës sociale dhe mirëmbajtjen e higjienës personale dhe kolektive.

Shërbimi për informim