Taravari ia dorëzon çelësin e artë të qytetit shkencëtarit dr. Feigenblatt

02.07.2018

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari ia dorëzoi Çelësin e artë të qytetit, profesorit dhe veprimtarit Dr. Otto F von Feigenblatt.

Është hera e parë që Komuna e Gostivarit ndan Çelësin e artë të qytetit dhe është një nder i veçantë që atë ia dorëzojmë pikërisht një veprimtari dhe shkencëtari i cili ka doktoruar në shkencat juridike dhe shoqërore. Është i ri për nga mosha por mjaft i suksesshëm. Shpresoj që me zotërinë të vazhdojmë të kemi bashkëpunim edhe në të ardhmen në të gjitha aspektet. Njëherit shpresoj se në Gostivar, edhe në të ardhmen do të kemi personalitete të cilëve do tu dorëzojmë Çelësin e artë” theksoi Taravari.

Profesori Feigenblatt, falënderoi kryetarin Taravari për këtë nder të veçantë, duke theksuar rolin shumë të rëndësishëm të komunave në zhvillimin dhe përparimin e të gjitha vendeve në botë.

Vetëqeverisjet lokale janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e shteteve dhe të botës në përgjithësi dhe shpresoj e akademikët si unë, mund të ndihmojnë në përparimin e komunave. Ju falënderoj nga zemra dhe ndjehem shumë i nderuar që pranova këtë çmim”, theksoi profesori Feigenblatt.

Ndryshe, Dr. Otto F von Feigenblatt përveç që është një mik i madh Gostivarit, është edhe një lobues i mirë i çështjeve të mëdha të cilat i shoqërojnë shqiptarët në përgjithësi. Është një nga lobuesit kryesor për njohjen e Kosovës në vendet e Amerikës Latine dhe vende tjera. Është një personalitet që angazhohet të bashkëlidhë institucionet akademike shqiptare në Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri me institucionet më prestigjioze akademike në Spanjë, SHBA, Amerikës Latine dhe Evropën Perëndimore, si dhe për promovimin e trojeve shiptare si destinacione turistike dhe vende të përshtatshme për investime.

Shërbimi për informim