Komuna e Gostivarit me organizim të veçantë për 7 mars, kryetari Arben Taravari uron mësimdhënësit shqiptar: Keni dhenë kontribut të jashtëzakonshëm

,

Komuna e Gostivarit sivjet ka zgjedhur mënyrë ndryshe nga manifestimet e zakonshme për të shënuar 7 Marsin – Ditën e mësuesit shqiptar.

Manifestimet nisën nëpërmjet Sektorit të Arsimit, i cili organizoi garë mes nxënësve të shkollave të mesme, të cilët përmes eseve kujtuan këtë datë të rëndësishme. Në garën e cila u zhvillua në hapësirat e Gjimnazit të Gostivarit, morën pjesë 16 nxënës, nga katër prej çdo shkolle të mesme, ku më të mirët edhe do të shpërblehen.

Garë gjatë ditës së djeshme po ashtu kishte edhe në Shkollën Fillore “Ismail Qemali” ku mësimdhënësit e qytetit të Gostivarit mbajtën gara në volejboll, ndërsa sot në po të njëjtën shkollë, kryetari Arben Taravari mori pjesë në manifestimin e organizuar nga i cili shprehu mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të mësimdhënësve.

Programi festiv vijon në çdo shkollë të qytetit të Gostivarit, ndërsa festa përmbyllet me një drekë solemne tradicionale me mësimdhënësit e pensionuar shqiptarë.

Gëzuar 7 Marsin – Ditën e mësimit shqip!