“E vërteta për BDI-në”- Taravari: Tokën ndërtimore në Gostivar e kanë shitur me çmime qesharake

01.02.2018

Në kuadër të fushatës “E vërteta për BDI-në”, kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në një konferencë për shtyp prezantoi një pjesë të keqpërdorimeve që janë bërë në sferën e urbanizmit gjatë mandatit 2013-2017 në komunën e Gostivarit.

“Rasti i parë ka të bëjë me shitjen e tokës ndërtimore, pronë e komunës së Gostivarit, te zona industriale në dalje të qytetit në drejtim të Tetovës. Shitja e tokës ndërtimore është bërë me çmime qesharake prej 211, 500, 550 dhe 1.600 denarë për metër katrorë. Paramendoni, për 3,50 euro (211 denarë) për metër katror tokë ndërtimore, miku i shefit të kabinetit të ish kryetarit Nevzat Bejta, është bërë pronar i tokës ndërtimore me sipërfaqe 7559 m2. Për 500 denarë për metër katrorë, një person po ashtu i afërt me ish kryetarin e komunës së Gostivarit, është bërë pronar i tokës ndërtimore me sipërfaqe 2178m2. Për 550 denarë për metër katrorë person po ashtu i afërt me ish kryetarin e komunës së Gostivarit, është bërë pronar i tokës ndërtimore me sipërfaqe 1940m2. Ndërsa me çmim prej 1600 denarë për metër katrorë, që po ashtu është çmim më pak se gjysma e çmimit real për këtë zonë, është shitur edhe një parcelë me sipërfaqe 3533m2”, theksoi Taravari.

Si rast tjetër, po ashtu skandaloz, Taravari e përmendi përpunimin e projekteve nga ana e Byrove projektuese, ku mbi gjysmën e projekteve për ndërtesat kolektive banesore i kanë përgatitur vetëm tri shtëpi projektuese, ndërsa numri i byrove të këtilla në Gostivar është mjaft i madh.

“Konkretisht, prej gjithsej 46 banesave kolektive një Shtëpi projektuese shume e afërt me ish kryeshefin e urbanizimit ka përgatitur projekte për 16 prej tyre, në vlerë prej 329.732 euro në total. Një shtëpi tjetër projektuese për 6 projekte të përpunuara ka siguruar mjete në lartësi prej 179.334 euro. Ndërsa një tjetër firmë ka punuar projekte për 3 banesa kolektive duke përfituar 103.368 euro. Duke pasur parasysh se kjo është vetëm një pjesë e keqpërodirmeve të bëra në sferën e urbanizimit, çdo koment është i tepërt”, theksoi kryetari Taravari.
Ai, gazetarëve ua prezantoi edhe dokumentet që dëshmojnë atë që u cek, si dhe i njoftoi ata se në lidhje me keqpërdorimet në sferën e urbanizimit do të organizohen edhe press konferenca tjera.

Për konferencën e radhës për shtyp, Taravari paralajmëroi se ajo do t’i kushtohet abuzimeve në sferën e financave në Komunën Gostivarit, respektivisht lukseve që i ka bërë ish kryetari me paratë e qytetarëve.

Shërbimi për informim